Lajme

Ish-hetuesi policor në veri për sulmin në Ibër-Lepenc: Mister pse eksplozivi nuk u vendos në këmbë të urës, por në mes të saj

12/02/2024 23:30
nga:Gazeta Blic

Mbrëmjen e 29 nëntorit në Varragë të Zubin-Potokut ka ndodhur një shpërthim me eksplozivë në kanalin e Ibër-Lepencit.

E ish-hetuesi policor, Murat Mehmeti ka deklaruar se kryerësit kryesor të këtij kanë qenë persona të afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe njëra nga arsyet kryesore ka qenë “zhvendosja e vëmendjes” nga problemet e brendshme të qeverisjes në Serbi.

Mehmeti tutje tha se kryerësit e sulmit terrorist në Zubin-Potok nuk e kanë pasur qëllim të shkaktojnë dëme më të mëdha, dhe në qoftë se do të planifikohej një gjë e tillë do të sulmonin këmbët e urës dhe jo mesin e saj.

Mehmeti theksoi se edhe kryekrimineli serb, Milan Radoiçiq mund të ketë “njohuri” për sulmin e së premtes.

“S’ka dyshim, që Vuçiqi është i lidhur. Dy ditë heshti. Vuçiqi ka pasur qëllim ta dërgojë mesazhin këndej me tendencë për zhvendosjen e vëmendjes. Atje ka pasur 15 viktima për shkak të tragjedisë që erdhi për shkak ndërtimit të dobët. Vuçiqi nuk po arreston asnjë. Zhvendosja e problemeve, këndej në Kosovë. Nëse krejt territori i Kosovës kishte me qenë pa energji elektrike pasojat do të ishin shumë të mëdha”.

“Milan Radoiçiq, sigurt ka informacion derisa ai vazhdon me i pagu 500 persona me pagë. Me një kalkulim thjeshtë, rreth 1 mln euro. Ai u pasuru nga kurrizi i shtetit të Kosovës. Veselinoviqi nuk ka jetuar në Kosovë, dhe lidhja e kumarisë ka shkaktuar kështu”.

“Vuçiqi politikisht është keq, mund të shkojë në zgjedhje, iu ka premtuar gjermanëve litium. Zhvendosja e vëmendjes nga problemet e brendshme të Vuqiçit. Nuk janë amatera. Nuk duket se ka pasur qëllim për shkaktimin e problemeve të mëdha. Nuk ka pasur viktima në njerëz, edhe shpërthimi i ditëve të kaluara nuk ka pasur qëllime në qenien njerëzore. Jam i sigurt që dikush nga strukturat e tij të brendshme e kanë kryer këtë sulm”, tha Mehmeti.

Ish-hetuesi theksoi se ky sulm në Zubin-Potok ka qenë i planifikuar, por që sulmuesi nuk ka dashur të ketë qëllime serioze e dëme në njerëz.

“Ka qenë i planifikuar. Shkak i raporteve që kemi me shtetin e Serbisë dhe ky konflikt i ngjan një vullkani, i cili kohë pas kohe e qet llavën. Kryesi nuk ka pasur synim të shkaktojë probleme të mëdha sepse, nëse kryerësi ka pasur qëllim të shkaktojë probleme serioze është dashur të këpusë këmbën e urës. Vendi ku është zgjedhur eksplozivi, ka dërguar sinjal Prishtinës dhe shtetit tonë, por s’ka pasur qëllime serioze e të mëdha. Dhe ish dashur të shkaktonte problem më të madh, do të këpuste këmbët e urës”, tha Mehmeti.