Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka arrestuar avokaten Sh. Sh dhe përmbaruesin privat, I. I.
Ata dyshohen se kanë marrë 25 mijë euro ryshfet në emër të Gjykatës së Apelit, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.
Tutje në njoftim thuhet se të dyshuarit kanë kryer veprat penale “Ushtrim i ndikimit” nga “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Arrestimi i tyre u bë pas një pune disamujore të Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës në hetimin e rastit të publikuar në media.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari i parë gjatë angazhimit në një lëndë të kontestit civil në cilësinë e avokatit nga pala e dëmtuar ka kërkuar të holla në shumën prej mijëra euro. Me pastaj në këtë çështje është përfshirë edhe i dyshuari tjetër duke nxjerr dhe ekzekutuar edhe urdhër përmbarimorë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Procedurën Përmbarimore dhe te Ligjit për Procedurën Kontestimore”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit të të njëjtëve dhe përfundimit të procedurave policore dy të dyshuarit me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtine janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme.