Lajme

Zëdhënësi i AAK-së: Kryeministri të tregojë se si përkundër masave të sigurisë, terroristët arritën t’i realizojnë qëllimet e veta 

12/01/2024 21:19
nga:G B

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka thënë se Kryeministri do të duhej të na tregonte se si terroristët, përkundër masave të sigurisë dhe përqendrimit policor atje, arritën t’i realizojnë qëllimet e veta.

Xhemaili përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Kurti nuk do të duhen të na tregonte për qëllimet e terroristëve

“Kryeministri nuk është analist politik dhe nuk do të duhej të na tregonte për qëllimet e terroristëve. Po ashtu, nuk është i thirrur të na shpjegojë strategjinë ruse të luftës në Ukrainë. Kryeministri do të duhej të na tregonte se si terroristët, përkundër masave të sigurisë dhe përqendrimit policor atje, arritën t’i realizojnë qëllimet e veta. A ishin mekanizmat e sigurisë të vendosur aty ku duhej? Nëse jo, pse nuk ishin aty ku duhej?”, ka thënë Xhemaili.

Xhemaili ka shtuar se Kurtit nuk i duhen çizmet, janë mekanizmat e sigurisë që kanë nevojë për ato.

“Ai është lavdëruar shumë herë që ka vendosur kamera për rrugët e kontrabandistëve të “plazma keksave”, por nuk ka treguar kurrë çfarë ka bërë për të mbrojtur infrastrukturën vitale të Kosovës. Nuk është vetëm kanali i Ibrit institucion vital. Por ky kanal na tregoi dje se sa janë të mbrojtura institucionet vitale të Kosovës. Kryeministri nuk ka nevojë të mbathë çizme llastiku. Janë mekanizmat e sigurisë që mbathin çizme më të forta e më të mira. Por ata kërkojnë udhëheqje, jo fjalë”, ka përfunduar Xhemaili.