Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Deçani.
Haradinaj ka thënë se Deçani i trimërisë dhe sakrificës mbështet vizionin e AAK-së për Kosovën fituese.
“Deçani i trimërisë dhe sakrificës plot entuziazëm për vizionin e Aleancës për Kosovën Fituese. Sot, në takim me qytetarët dhe strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan, prezantuam kandidatët tanë për deputetë nga kjo komunë, Bashkim Ramosajn, Time Kadrijajn, Daut Haradinajn, Lok Komonin, Rasim Selmanajn dhe Arif Ahmetxhekajn”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se edhe pse i injoruar mga qeveria e Kosovës, Deçani shquhet për qeverisje shembullore.
Qytetarët e Deçanit, me prezencën e tyre konfirmuan mbështetjen e palëkundur për vizionin tonë për Kosovën Fituese, të anëtarësuar direkt në NATO përmes Planit Aksional. Deçani, edhe pse i injoruar nga pushteti qendror, nën drejtimin e kryetarit Bashkim Ramosaj dhe ekipit të tij, ka arritur të shquhet për qeverisje shembullore. Kjo komunë është radhitur ndër më të mirat sa i përket performancës lokale, duke pasuar traditën e shkëlqyer të gjitha komunave të udhëhequra nga Aleanca”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka shpërfaqur synimet e AAK-së gjatë mandatit të ardhshëm.
“Në qeverinë e ardhshme që synojmë të ndërtojmë:
• Koeficienti i pagave do të jetë 155 euro.
• Paga minimale do të jetë 500 euro që në vitin e parë.
• Paga mesatare do të nisë nga 1000 euro dhe do të rritet 12-13% çdo vit, për të arritur në 1500 euro deri në vitin 2028.
• Pensionet do të rriten me 50% në vitin 2025 dhe më pas do të ndjekin modelin e rritjes së pagave.
Ky plan për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe vizionit për një shtet të fortë”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Mbështetja për Aleancën dhe partnerët tanë në koalicion tregon besimin e qytetarëve në një program që do të sjellë jo vetëm stabilitet, por edhe transformim të thellë për Kosovën. Anëtarësimi direkt në NATO, përmirësimi i sistemeve arsimore dhe shëndetësore, dhe hapja e perspektivës për zhvillim ekonomik janë prioritetet tona strategjike”, ka përfunduar Haradinaj.