Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri të Kosovës janë shprehje e dëshpërimit të bandave kriminale të cilat dirigjohen nga Beogradi.
Ai ka thënë se dëshpërimi i këtyre bandave po shpërfaqet me “prezencë” dhe si të “fortë” derisa ato po çmontohen dita-ditës nga institucionet e Kosovës.
Por, Sveçla gjithashtu ka paralajmëruar se institucionet e vendit janë të vendosura deri në eliminimin e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste në vend.
“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshprimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla tutje ka thënë se rendi e ligji do të funksionojnë anekënd vendit dhe se tendenca për frikësim të qytetarëve nuk do ketë vend.
“E themi troç atë që kemi përsëritur përgjatë këtyrë katër viteve: Koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit”, ka shkruar Sveçla.