Në konferencën e tij të fundit për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, u pyet edhe për deklaratën e vitit të kaluar që kishte të bënte me personat e zhdukur, të cilën e kishin miratuar Kosova dhe Serbia, por që ende nuk është zbatuar.
Stano tha se në maj të vitit 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishin arritur një marrëveshje të përbashkët për këtë çështje, por zbatimi i saj ende nuk ka filluar. Ai shpjegoi se ky është një problem shumë i rëndësishëm për të dyja palët, pasi prekin njerëz dhe kanë një ndikim të theksuar për familjet e atyre që janë ende të zhdukur.
“Për këtë çështje të veçantë, e cila është shumë e rëndësishme për njerëzit, sepse në fakt bëhet fjalë për njerëz, shumë e rëndësishme për familjet e atyre që janë ende të zhdukur, mund të kujtoj vetëm se ishte në maj të vitit 2023 kur presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti miratuan një deklaratë të përbashkët pikërisht për këtë çështje,” u shpreh Stano.
“Zbatimi i deklaratës së përbashkët, për fat të keq, ende nuk ka filluar,” tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së theksoi se kjo çështje është diskutuar edhe në takimin e 24 tetorit të këtij viti, ku është shprehur shpresa për një përparim në këtë drejtim. Ai theksoi se palët duhet të bien dakord për termat e referencës të komisionit të përbashkët, çka ende nuk ka ndodhur.
“Kjo do të ndodhë vetëm kur palët të pranojnë ose bien dakord për termat e referencës së komisionit të përbashkët. Kjo nuk ka ndodhur. Kjo është diskutuar herën e fundit në takimin e kryenegociatorëve më 24 tetor këtu në Bruksel. Dhe ndërsa një marrëveshje nuk është arritur, ajo është e arritshme dhe ne ende presim reagime për disa aspekte,” tha Stano.
“Shpresojmë se do të marrim reagimet shumë shpejt që të mund të ecim përpara, sepse siç thashë, kjo çështje e veçantë, dialogu në përgjithësi, prek njerëzit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Por kjo çështje e personave të zhdukur ka një aspekt shumë, shumë të fortë njerëzor dhe duhet të çohet përpara sa më shpejt të jetë e mundur,” përfundoi Stano në konferencën për media.