Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për të nisur themelimin e një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë.
Kurti dje bëri të ditur se është nënshkruar vendimi për themelimin e një komisioni ndërministror që ka për qëllim vlerësimin dhe nisjen e këtij procesi, derisa këtë e quajti “një hap të domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”.
Kurse, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”.
Lidhur me këtë vendim, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic, thotë se një i tillë ishte propozuar edhe më herët.
“Një vendim i cili ishte propozuar zyrtarisht edhe nga Asociacioni i Kriminalistëve, Kriminologëve dhe Viktimologëve të Kosovës muaj më parë në drejtim të spektrit politik qeveritar dhe atij opozitar, që duhet të themelohet Agjensioni për Industrinë e Mbrojtjes, e cila do të ishte promotor i zhvillimeve në këtë fushe”, shprehet ai.
Sipas tij, vendimi është më se i mirëpritur në fazën që gjendet FSK.
“Ndërsa, vendimi i marrë është më se i pritur në fazën në të cilën gjendet FSK, është momentum i rëndësishëm që gjatë fazës së tretë të planit 3 fazor të fillohet me të, që kështu të jemi gati për 2028. Infrastruktura duhet të krijohet dhe të themelohet dhe pastaj të startohet sipas STANATO që janë të paraparë”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/