Lajme

Krerët e Unionit të Sindikatave të Arsimit të botës dhe Evropës kundërshtojnë veprimet e Qeverisë, mbështesin SBASHK-un

11/27/2024 11:42
nga:G B

Në kuadër të Konferencës vjetore të Unionit të Sindikatave të Evropës, që po zhvillon punimet në Budva të Malit të Zi, përfaqësuesit e SBASHK-ut  janë takuar me kryetarin e Internacionales Botërore të Arsimit Mugwena Maluleke, me sekretarin e përgjithshëm David Edwards dhe me drejtorin e përgjithshëm të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës Jelmer Evens.

Nënkryetarja e SBASHK-ut Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri  u kanë treguar udhëheqësve më të lartë  sindikalë  të Evropës dhe botës se kryetari  i SBASHK-ut nuk merr pjesë në Konferencën vjetore  të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës pikërisht për shkak  të gjendjes së rëndë të krijuar në arsim e në sektorët tjerë me fajin e Qeverisë Kurti, që vazhdon të ketë qasje të gabuar ndaj dialogut  dhe qasje deri armiqësore ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave tjera. Përfaqësuesit e SBASHK-ut pastaj  u kanë ofruar shumë argumente kryetarit të Internacionales Botërore të Arsimit Mugwena Maluleke, sekretarit të  përgjithshëm David Edwards dhe me drejtorit të  përgjithshëm të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës Jelmer Evens  duke veçuar se Qeveria Kurti dhe vetë Ministrja e Arsimit, z. Nagavci në vazhdimësi janë angazhuar ta pamundësojnë  dialogun sindikal me sindikatat duke bllokuar punën e Këshillit  Ekonomik Social, duke vështirësuar funksionimin dhe  veprimtaritë sindikale  dhe duke qenë kategorik kundër nënshkrimit  të Marrëveshjes Kolektive në nivel vendi dhe të Kontratës së re Kolektive të Arsimit. Ata janë shprehur se sindikatat  po kalojnë nëpër sfida tepër të vështira  dhe shumë nga to, fatkeqësisht edhe  janë afër shuarjes, por SBASHK-u falë unitetit dhe besimit të anëtarësisë dhe angazhimeve e përkushtimit të madh të udhëheqjes sindikale vazhdon të jetë e fortë dhe do të vazhdojë me betejat në përpjekjet për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë  duke nisur edhe me veprime sindikale siç është protesta e 4 dhjetorit dhe veprimet tjera që do të ndodhin nëse Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk  reflektojnë.

Kryetari  i  Internacionales Botërore të Arsimit Mugwena Maluleke,  sekretari i  përgjithshëm David Edwards dhe drejtori i  përgjithshëm të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës Jelmer Evens janë shprehur tepër të shqetësuar me këtë realitet  dhe kanë ripërsëritur se Internacionalja  Botërore e Arsimit, që numëron 32 milionë anëtarë dhe Unioni i Sindikatave të Evropës, që numëron 11 milionë anëtarë mbështesin fuqishëm SBASHK-un në gjithë angazhimet. Ata kanë ngritur shumë kritika ndaj Qeverisë së Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i Internacionales Botërore  të Arsimit u ka deklaruar përfaqësuese të SBASHK-ut se gjithë këto shqetësime dhe reagimin e fuqishëm ndaj Qeverisë Kurti për qasjen e gabuar ndaj dialogut dhe SBASHK-ut do të prezantojë me t’u kthyer në SHBA e po ashtu do ta prezantojë këtë  situatë tepër të rënduar edhe në UNESKO.