Në një tubim në Gjakovë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka theksuar angazhimin e partisë për zhvillimin e qytetit dhe të Kosovës, duke kritikuar ashpër Qeverinë aktuale të Albin Kurtit, raporton GazetaBlic.
Lekaj theksoi se, pavarësisht kushteve të vështira, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur të sjellë ndryshime të prekshme në Gjakovë dhe se përkushtimi i Ramush Haradinajt është i paalternativë.
“Ne nuk kemi se si të mos rreshtohemi drejt Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe krah Ramushit Haradinaj. E kemi marrë Gjakovën në kushtet më të vështira, shumë kanë gjujtë gurë e baltë në atë që kanë sakrifikuar në këtë vend, kanë ardhë me mashtrime kine t’i ndihmojnë Gjakovës e Kosovës, por që katër vite nuk dihet se çka kanë bërë të mirë për këtë vend, përveç mashtrimit e hajnisë”, tha Lekaj.
Ai theksoi se, përkundër përpjekjeve të Kurtit për të përçmuar sakrificën e luftës dhe kontributin e AAK-së, qytetarët e Gjakovës mund të krenohen për progresin e arritur.
Lekaj ftoi të gjithë qytetarët që të bashkohen me AAK-në dhe të fillojnë ndryshimin, duke theksuar se partia është e gatshme të udhëheqë me besim dhe angazhim për një të ardhme më të mirë.
“A ka diçka më të keqe se Albin Kurti për njëzet vite ka gjuajtur gurë, s’ka lënë fjalë të keqe pa thënë për sakrificën e luftës, për luftëtarët e lirisë, duke thënë se ne e kemi shkatërruar këtë vend”, tha Lekaj.
“Shiheni Gjakovën, ku e kemi marrë dhe ku jemi sot. Jemi krenar për çdo investim që e kemi bërë këtu. E keni shumë lehtë që t’i thoni po AAK-së dhe që nga ky moment ta fillojmë ndryshimin”, përfundoi ai.