Sporti

Mani para derbit Shkëndija – Shkupi: Pajtimi i tifozëve, sinjal për të gjithë, të bashkuar jemi më të fortë

11/26/2024 17:10
nga:Lorik J

Hajrush Mani, gazetari i sportit në Maqedoni potencon se derbi i nesërm mes Shkupit e Shkëndijës në Tetovë ka ngjallur shumë interesim nga shqiptarët në Maqedoni, teksa pritet festë në shkallët e stadiumit mes dy tifozerive të flakta.

Shkëndija e Shkupi ballafaqohen nesër nga ora 13:00, në kuadër të xhiros së 16’të në kampionatin maqedonas.

Redaktori i sportit në “Radio Shkupi”, Hajrush Mani potencon se ky ballafaqim mezi po pritet, e ka bërë jehonë të madhe.

“Padyshim ky moment ka ngjallë shumë entuziazëm jo vetëm të ata që e duan futbollin dhe sportin, por te të gjithë shqiptarët në vendin tonë. Ka kohë që pritej të ndodhë një gjë e tillë, duke ditur se si dy klubet ashtu edhe dy tifozeritë më parë kanë pasur një bashkëpunim të mrekullueshëm mes vete, deri në momentin kur u komplikuan punët mes tifozëve. Gëzon fakti se si tifozët “Ballistat” të parët e nisën këtë iniciativë për t’i ftuar tifozët e Shkupit “Shvrecerat”, ndërsa kubi Shkëndija me njoftimin e sotëm, se mirëpret vëllezërit e tyre nga Shkupi, ka bërë jehonë të madhe gjithandej”, tha fillimisht Mani për ‘GazetaBlic Sport’.

Kanë kaluar 10 vite kur “Shvercerat” e “Ballistët” ishin prezent bashkë në një stadium, teksa nesër kjo gjë do të ndodhë. Mani beson se po lëvizet një gurë që shqiptarët të jenë më të bashkuar – e më të fortë, por duhet ende punë për të bërë kalanë.

“Pajtimi ndodhi në Prekazin e Adem Jasharit, ndërsa tash festa e Nëntorit po i bënë bashkë këto dy tifozeri, që do të jetë një porosi për të gjitha tifo grupet, por edhe njerëzit jashtë sportit se të bashkuar jemi më të fortë, ndërsa më i miri le të fiton në fushë. Mendoj se me këtë rast është lëviz vetëm një gurë, por që pas vete mundë të sjellë dhe shumë lëvizjen e shumë gurëve tjerë për ta bërë kalanë, edhe atë jo vetëm në vendin tonë”, vazhdoi ai.

Sipas gazetarit, nesër nga Shkupi drejt Tetovës priten të udhëtojnë mbi 300 tifozë.

“Është problem të flasim për shifra, se kjo ndeshje po luhet të mërkurën që është ditë pune dhe në mesditë (ora 13:00), andaj shumë të rinj dhe shumë njerëz janë në shkolla dhe në punë, por sipas informacioneve të para që kemi, pritet që të ketë më shumë 300 tifoz”, zbuloi gazetari i sportit.

Në sytë e Manit, Shkëndija është favorite të triumfojë në fushë.

“Padyshim se në këtë rast Shkëndija është ekip më stabil, ka arritur që trajneri Jeton Beqiri ta formoj ekipin me shumë finesë dhe këtë e ka treguar me vet faktin se është lider tabele. Shkupi këtë sezon e ka nisur shumë keq, kishte një numër të madh të futbollistëve që u larguan dhe më pas në afatin kalimtar nuk solli përforcime të mëdha sikurse kishte ndodhë vite më parë. Duhet ta dimë se te Shkupi pak ditë më parë ndryshoi edhe sponsori i klubit dhe tani me drejtor sportiv Nderim Nexhipin, ekipi pritet që ti mbyll këto tri ndeshje të fundit me sa më shumë pikë dhe të fillojë pothuajse nga e para. Mendoj se favorit është Shkëndija, jo vetëm në letër, por edhe në kualitet”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Shkëndija ndodhet në vendin e parë në tabelë me 30 pikë, kurse Shkupi në vendin e gjashtë me 16 pikë.

/GazetaBlic Sport