Pas një rikuperimi afatshkurtër në tetor të këtij viti, disponimi i drejtuesve kryesorë gjermanë u përkeqësua përsëri në nëntor. Gjegjësisht, ifo-indeksi i biznesit në nëntor ka rënë në krahasim me një muaj më parë – nga 86,5 pikë në 85,7. Kjo u bë e ditur nga Instituti ifo-Institut i Mynihut pas një sondazhi të kryer në mesin e rreth 9000 njerëzve kryesorë në ekonominë gjermane.
Pas katër rënieve të njëpasnjëshme (nga qershori në shtator), ifo-indeksi shënoi një trajektore rritëse në muajin tetor. Megjithatë, kompanitë gjermane tani po analizojnë sërish modelet e tyre të biznesit me skepticizëm, pra perspektivat e biznesit në muajt e ardhshëm.
“Ekonomisë gjermane i mungon forca”, kështu përmblodhi presidenti i institutit ifo, Clemens Fuest, rezultatet e hulumtimit aktual.
Një krizë që nuk tërhiqet
Një seri e tërë sinjalesh konjukturale nxjerrin në pah përfundimin se nuk ka rrugëdalje nga kriza. Të dhënat e fundit për zhvillimin ekonomik (nga java e kaluar) zbuluan, përkatësisht, se ekonomia kombëtare gjermane u rrit me vetëm 0.1 për qind në tremujorin e verës 2024. Kështu, një recesion u shmang për pak. Në tremujorin e dytë, PBB-ja u ul me 0.3 për qind. Në tremujorin e parë të këtij viti, u regjistrua një rritje e dobët e PBB-së prej 0.2 për qind. Ekspertët flasin për një recesion teknik pas dy tremujorësh negativë radhazi.
Një tjetër indeks i rëndësishëm i zhvillimit konjuktural, i cili monitorohet me kujdes në tregjet financiare, ka rënë ndërkohë në nivelin më të ulët në nëntë muajt e fundit – është i ashtuquajturi “Einkaufsmanagerindex” , i cili pasqyron gjendjen shpirtërore kryesisht në sektorin e përpunimit, d.m.th. kompanitë industriale.
Gjermania duhet të investojë më shumë
Shqetësim mbretëron edhe në sektorin e ndërtimit, sidomos pas të dhënave të sapo publikuara për punimet e porositura në periudhën e ardhshme. Pas një rritjeje të fortë të numrit të vendeve të punës në gusht, kërkesa për shërbime të ndërtuesve ra sërish ndjeshëm në shtator. Krahasuar me muajin e kaluar, vëllimi i marrëveshjeve të dakorduara ra me 12.4 për qind, njoftoi Byroja Federale e Statistikave. Kur merr parasysh tre tremujorët e parë të vitit 2024 dhe e krahason atë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregon se industria gjermane e ndërtimit ka regjistruar një minus prej dy për qind.
Në raportin mujor aktual, banka qendrore gjermane (Bundesbank) vlerëson se ndërtimi mund të jetë një nga sektorët që do të vazhdojë të pengojë rritjen e ekonomisë kombëtare, pra PBB-së.
“Kostot ende të ngritura të financimit, si dhe pasiguria e theksuar ekonomike dhe politike, vazhdojnë të ndikojnë negativisht në investime, e rrjedhimisht në kërkesën për shërbime ndërtimi, pra mallra kapitale”, thuhet në raport.
Pritet që pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ekonomia gjermane të përballet me sfida edhe më të mëdha. Gjegjësisht, gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka bërë të ditur se planifikon të vendos tarifa ndëshkuese edhe për importet nga Evropa. Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump mund të shtyjë politikën e proteksionizmit të ekonomisë amerikane dhe Gjermania, si kampionia evropiane e eksporteve, mund të kërcënohet veçanërisht nga një politikë e tillë e izolimit ekonomik.
Parashikimet pesimiste
Kjo është arsyeja pse komentet pesimiste të ekonomistëve gjermanë nuk janë befasuese dhe nuk është çudi që ifo-indeksi, pas një rikuperimi afatshkurtër në tetor, tani është përsëri në rënie – me ardhjen e Donald Trump, mund të fillojnë të fryjnë erëra të pakëndshme për industrinë tashmë të tronditur të Gjermanisë të orientuar drejt eksportit .
“Përveç kësaj, ekziston një kërcënim për një pauzë të gjatë deri në formimin e një qeverie të re, gjatë së cilës politika gjermane vështirë se do të jetë në gjendje të reagojë fare, aq më pak të japë ndonjë impuls të ri”, vlerëson Philip Scheuermeyer, ekonomist i bankës shtetërore. KfW. Në të njëjtën kohë, ai beson se në vitin 2025 mund të pritet ende një rritje e vogël, me kusht që të rritet konsumi privat i qytetarëve, pra të rritet vëllimi i investimeve falë uljes së pritshme të normave të interesit./DW