Lajme

LDK-ja në rritje, Manaj: Do t’ia tregojmë vendin VV-së më 9 Shkurt

11/26/2024 23:20
nga:G C

Kandidati i LDK-së për deputet, Shkëmb Manaj, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka realizuar reforma të rëndësishme brenda partisë gjatë katër viteve të fundit, duke përfshirë zgjedhjen e një kryetari dhe lidershipi të ri.

Ai për GazetaBlic tha se këto reforma janë përgjigje ndaj mesazhit të elektoratit për përmirësimin e partisë dhe se ato do të sjellin fitore në zgjedhjet e ardhshme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë këtyre katër viteve i ka kryer dy procese zgjedhore. Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2021 ka arritur që ta mbajë Kuvendin qendror të LDK-së dhe të zgjedhë një kryetar dhe lidership të ri dhe kanë filluar reformat në Lidhjen Demokratike sepse e kemi parë si mesazh që e kanë edhe elektorati ynë se duhet bërë reforma brenda partisë”, tha Manaj.

Ai theksoi gjithashtu fitoret e LDK-së në zgjedhjet lokale, duke përfshirë Prishtinën, dhe e shohin këtë si një shenjë të sigurtë se votat do të kthehen edhe në nivelin nacional.

“Pas zgjedhjeve nacionale, LDK-ja i ka fituar zgjedhjet lokale. Jemi partia e parë në vend me numër të asamblesitëve, i kemi fituar nëntë komuna, përfshirë edhe Prishtinën. Ne jemi të bindur që këto vota do të kthehen edhe ne nivel nacional, zgjedhjet lokale nuk kanë qenë fitore të rastësishme”, shtoi ai.

Sipas Manajt, Qeveria aktuale ka kohë që është ndëshkuar nga qytetarët, pasi doli, humbëse në zgjedhjet lokale.

“Qytetarët e Kosovës e kanë parë që në startin e VV’së që nuk munden të bëjnë qeverisje të mirë, ata e kanë parë sjelljen dhe arrogancën e tyre, për këtë kanë vendosë që ta ndëshkojnë në vitin e parë”.

Manaj shton se, VV’ja do të ketë rezultat edhe më të dobët në zgjedhjet nacionale, ndërsa partinë e tij, e sheh si fituese dhe për këtë ka cekë disa aryse.

“Në zgjedhjet nacionale do të dalin edhe më keq se sa në zgjedhje lokale. Pra, Lëvizja Vetëvendosje do t’i humb zgjedhjet dhe LDK-ja do t’i fitojë. Kemi krijuar struktuara, ekip të veçantë, kemi një kandidatë për kryeministër i cili ka vizion për të qeverisur mirë dhe e kemi një program që e kemi hartuar dhe e kemi bërë publik, një vit para zgjedhjeve nacionale”, tha Manaj.

“Jemi e vetmja parti që kemi program konkret dhe që ua kemi shpërndarë qytetarëve të Kosovës, një vit para zgjedhjeve. Janë tri komponente kryesore që mund të ofrojnë një qeverisje të mirë, kjo do të vlerësohet nga qytetarët të cilët kanë nevojë për një qeverisje të përgjegjshme, normale dhe e kthen Kosovën në projektin Rugovist”, shton ai.

Manaj ka folur edhe për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani, ku tha se ishte një sinjal i qartë që Qeveria e Kurtit është e dëshme për Kosovën.

“Presidentja Osmani po luan rolin e vet, ka mundur edhe më herët të jetë me zëshme ndaj Qeverisë për qasjen e tyre me miqtë e jashtëm. Qasja e Osmanit është një sinjal që kjo Qeveri e Albin Kurtit nuk është adresa që i duhet Kosovës, por LDK”, tha Manaj.

Sa janë gjasat që Osmani të kthehet në LDK?

“LDK-ja është gjithmonë e hapur për njërëzit e vetë. Ikja e Osmanit me VV’në është përcaktim i saj, s’ka hatërmbetje. Qytetarët e kanë kuptuar qasjen e gabueshme të Kurtit, jam i bindur që me datën 9 shkurt në kutitë e votimit do t’ia tregojnë vendin VV’së dhe do ta votojnë LDK-në’, përfundon Manaj.