Lajme

Përplasja për kontrata njëburimore, Murati i përgjigjet Hykmete Bajramit

11/25/2024 18:47
nga:G C

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka thënë Hykmete Bajramit që “nuk ka kuptuar nga financat publike”.

Madje, Hekuran Murati iu drejtua Hykmete Bajramit me “Ulu, njësh”.

“Hykmete, s’paske mësu as sot. Ulu, njësh! Anipse Hykmetja ka qenë për nja 6 muaj Ministre e Financave, e për disa vite tjera edhe Ministre e Tregtisë e Industrisë, nga ajo që paska shkruar në postimin e saj të fundit në Facebook, e dëshmon që ende nuk i din e as që i ka kuptuar ndonjëherë elementet bazë të funksionimit të buxhetit, apo të financave publike në përgjithësi”, ka shkruar Murati.

Krejt kjo pasi, Bajrami ka publikuar numrin e kontratave njëburimore gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

“I qenkan dashur më shumë se 24 orë Hykmetes që të arrijë në momentin e saj të “eurekas”, për ta gjetur, siç e quan ajo, “manipulimin e radhës” nga ana ime. Sipas saj, grafikoni që unë kam prezantuar dje ka pasaktësi sepse nuk është e mundur që në vitin 2008 të nënshkruhen kontrata në vlerë mbi 800 milionë euro, kur vetem afërsisht 500 milionë euro mund të ketë qenë buxheti i atij viti për prokurime. Pak a shumë, kjo ishte akuza. Por, siç nuk e din Hykmetja, buxheti përveç vitit fiskal që mbulon, ka projeksione edhe për dy vite tjera në kuadër të asaj që quhet Korniza Afatmesme e Shpenzimit – KASH”.

“Dhe siç nuk e din Hykmetja, edhe nëse i tërë buxheti për vitin ekzistues është 500 milionë euro, kjo nuk e ndalon organizatën buxhetore që të lidhë kontratë disavjeçare për, ta zëmë ndërtimin e një autostrade, ku pagesa shtrihet në 3 apo 4 vite nga 200 milionë euro. Pra, shpenzimi në njërën anë dhe disponueshmëria e mjeteve në anën tjetër, janë dy gjëra të ndryshme. Këtë e din secili qe merret me financat publike. Por jo edhe Hykmetja”, ka shkruar Murati.