Lajme

Shkëmb Manaj: Do të jem përfaqësues i denjë i frymës dhe filozofisë politike të presidentit Ibrahim Rugova

11/26/2024 19:01
nga:G C

Kandidati i LDK-së për deputet, Shkëmb Manaj, theksoi përgjegjësinë e tij të madhe si djali i njërit prej themeluesve të LDK-së dhe si bashkëpunëtor i presidentit Rugova.

Ai në një intervistë dhënë për GazetaBlic, theksoi se projekti i themeluesve të LDK-së, i bazuar në vizionin rugovist për një Kosovë të pavarur dhe demokratike, ende nuk është plotësisht realizuar.

“Është përgjegjësi shtesë për mua, si djali i njëri prej themeluesve të degës së LDK-së, kryetarit të parë të LDK-së dhe njërit prej bashkëpunëtorëve të presidentit Rugova. Ky është edhe motivi që jam pjesë e politikës aktive, sepse konsiderojmë që projekti i themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, projekti Rugovist për Kosovën, ende nuk është realizuar”, tha Manaj.

Manaj theksoi nevojën për një demokraci funksionale dhe integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Ky projekt duhet t’i mbërrijë limitet e veta. Është realizuar liria e Kosovës, kemi fituar pavarësinë, Kosova ka nevojë për një demokraci funksionale dhe për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

“Në këto faza, është shumë me rëndësi që Kosova të jetë një shtet serioz, funksional i cili bën veprime serioze që e dërgojnë vendin drejt anëtarësimit në NATO, sa më shpejt që është e mundur, dhe pastaj në Bashkimin Evropian”, tha Manaj.

Tutje, Manaj foli edhe për faktin që LDK-ja udhëheqë në Istog qysh nga pas lufta. Për këtë, ai thekson se ka ndikuar filozofia politike e presidentit Ibrahim Rugova.

“Istogu është bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka një histori të jashtëzakonshme si degë, është një prej degëve që asnjëherë nuk i ka humbur zgjedhjet. LDK-ja qeverisë atje që nga pas lufta dhe mendoj që kjo nuk është e rastësishme, sepse filozofia politike e presidentit Rugova, rrënjët i ka në Istog, sepse presidenti Rugova është nga Istogu, është edukuar aty dhe ajo frymë që ai e ka marrë atje, së pari si nxënës i shkollës fillore, pastaj të mesme, është bartë në LDK, pastaj u bë filozofi politike dhe nacionale për Kuvendin”, tha Manaj.

Ai gjithashtu u fokusua në rëndësinë e zhvillimit të Istogut, duke propozuar investime në turizmin malor dhe projekte që do të përmirësonin jetesën e qytetarëve.

“Duhet të angazhohemi gjithmonë për të dërguar projekte sa më shumë për Istogun, është komunë mesatare e cila ka nevojë për buxhet nga Qeveria qëndrore, edhe në kohën kur kemi qenë deputet me Ilir Feratin, kryetari aktual i Istogut, jemi angazhuar që të dërgojmë projekte nga niveli qëndror, ku kemi arritur disa prej tyre t’i përcjellim atje”, thotë ai.

“Është shumë e rëndësishme që atje të investohet, sidomos në turizmin malor sepse Istogu shquhet për këtë, por edhe në projekte tjera të cilat e lehtësojnë jetën e qytetarëve e Istogut”, thotë Manaj.

Manaj thotë se do të jetë “përfaqësues i denjë i frymës dhe filozofisë politike të presidentit, Ibrahim Rugova”.

Intervista e plotë: