Besim Mulaj, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, ka shpërndarë një deklaratë që thekson rëndësinë e rritjes së transparencës në ndarjen e granteve bujqësore, raporton GazetaBlic.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij për reagimet dhe kritikat nga fermerët dhe qytetarët lidhur me ndarjen e fundit të granteve, duke theksuar se qasja jo e drejtë dhe mungesa e transparencës kanë ngritur dyshime për ndarjen e drejtë të fondeve që janë kyç për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Mulaj ka bërë thirrje për një qeverisje të përgjegjshme, e cila do të fokusohet në barazi dhe drejtësi për të gjithë fermerët.
Ai ka propozuar disa masa konkrete për të siguruar një proces më të hapur dhe të ndershëm për ndarjen e granteve:
Transparencë e plotë: Publikimi i të dhënave përfituesve dhe kriteret e vlerësimit të granteve, duke siguruar që çdo fermer të ketë mundësi të barabartë për të përfituar.
Forcimi i monitorimit: Angazhimi i institucioneve përgjegjëse për të siguruar që çdo euro e ndarë shkon për qëllimin e duhur, duke parandaluar abuzimet.
Konsultim i drejtpërdrejtë me fermerët: Përfshirja e mendimeve të fermerëve dhe shoqatave të tyre për prioritetet në sektorin e bujqësisë.
Mulaj ka theksuar se bujqësia është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe se angazhimi serioz i qeverisë është i nevojshëm për të zhvilluar këtë sektor dhe për të mbështetur fermerët.
“Koha është tani për ndryshim të vërtetë!” përfundon Mulaj në deklaratën e tij.