Lajme

Analisti politik: Vota e diasporës do të shpërndahet, opozita më e mobilizuar për zgjedhjet e 9 shkurtit

11/26/2024 13:45
nga:N K

Analisti politik, Arbnor Sadiku ka komentuar fushatën elektorale të partive politike, veçanërisht të atyre që po zhvillohen në diasporë.

Ai në një intervistë dhënë për GazetaBlic, vlerëson se vota e diasporës është e rëndësishme dhe se tani opozita, sipas tij është zgjuar nga gjumi në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ku vetëm Lëvizja Vetëvendosje punonte me diasporën dhe për t’i marrë votat e tyre.

“Natyrisht, po vërehet që vota e diasporës është bukur e rëndësishme dhe tanimë opozita është zgjuar nga gjumi në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ku vetëm LVV punonte me diasporën dhe për t’i marrë votat e tyre”, tha ai.

Sadiku thekson se në krahasim me zgjedhjet e kaluara, këtë vit vota e diasporës po shpërndahet.


“Nëse në të kaluarën vota e diasporës ka qenë e fokusuar vetëm te Lëvizja Vetëvendosje, tashmë me punën që janë duke e bërë të gjitha partitë e opozitës, ajo do të shpërndahet do të jetë më reale dhe nuk do t’i shkojë vetëm një partie politike, por të gjitha subjekteve që faktikisht përformojnë ose kërkojnë votë në Kosovë”, shtoi Sadiku.

E, analisti shprehet kritik për punën e partisë në pushtet, kështu duke pritur të pranojë një punë më të mirë nga opozita.

“Sa i përket rezultateve, pres një fokus dhe punë më të madhe nga opozita dhe natyrisht mos marjen e votave nga LVV, kjo për faktin se nuk ka pasur një performancë të mirë, veçanërisht në projektet infrastrukurore, ku për katër vite nuk është ndërtuar një urë në Badoc dhe në anën tjetër kemi pasur probleme me diplomaci ku asnjë njohje të re nuk kemi pasur që katër vite dhe sfida të tjera që ka pasur. Ka pasur ndoshta një progres në veriun e Kosovës, por problemet të tjera kanë qenë”, theksoi ai.

Ndër të tjera, sipas analistit, kushdo që ka në duar pushtetin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të ketë koalicion.

“Kurse opozita është më e mobilizuar, veçanërisht LDK-ja dhe PDK-ja, si dhe Aleanca është duke e bërë punën e saj dhe pres një mobilizim më të madh në mënyrë që kjo fitorja që ka qenë 50 plus 1% para katër viteve të reduktohet të LVV dhe si e tillë të ketë njëfarë propocionaliteti dhe njëfarë ulje të potencës, jo vetëm të një partie politike që ta marrë pushtetin, por të jetë një qeveri e koalicionit”, përfundoi Sadiku.

/GazetaBlic/