Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami “u zbraps” në përplasjen mes tyre në distancë për kontratat me procedurë të negociuar, të cilat u raportua se po hetohen nga Prokuroria.
“Dhe kështu, Hykmetja zbrapset. Nga qëndrimi i mëparshëm se “kontratat me procedurë të negociuar janë të paligjshme dhe hajni”, Hykmetja tani vetem paska treguar që e ka pyetur KRPP-në dhe ata i janë përgjigjur duke i dhënë shifrat për numrin dhe vlerën e kontratave të negociuara”, shkroi Murati në Facebook, pasi Bajrami publikoi një përgjigje zyrtare të Prkurorimit lidhur me këto lloje të kontratave.
“Këto të dhëna i kam shfaqur edhe une, madje jo veç për periudhën 2021-2024, por që prej 2008-tës. Pra deri këtu jemi në rregull. Dallimin e kemi tek fakti se teksa unë them që kontratat e negociuara parashihen me nenin 34 dhe 35 të ligjit të prokurimit publik, prandaj s’ka asgjë të paligjshme, dhe as nuk mund të etiketohen si hajni apriori pa ofruar dëshmi, për Hykmeten dhe një pjesë të opozitës, “kontratat e negociuara janë të paligjshme dhe hajni”. Urdhëro pra Hykmete, na trego se në cilat kontrata keni vjedhur në vitin 2015, kur ju keni qenë ministre, dhe 16.1% e vlerës së kontratave të nënshkruara atë vit kanë qenë me procedurë të negociuar, meqenëse kontratat e tilla sipas teje qenkan hajni. Skena për ty!”, shkroi Murati.