Lajme

Jashari dhe homologia e tij kanadeze flasin për shkëmbimin e kadetëve

11/23/2024 16:15
nga:Sh R

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka zhvilluar takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Kanadasë, Jennie Carignan.

Sipas një njoftimi nga FSK-ja, Jashari shprehu mirënjohjen e tij për homologen kanadeze, duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të Kanadasë që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë deri më sot. Ai gjithashtu e informoi atë mbi situatën në Kosovë dhe rajon, duke theksuar zhvillimet dhe arritjet e FSK-së. Pjesë e diskutimeve ishin edhe kontributi i FSK-së në trajnimin e grupeve ukrainase dhe objektivat strategjike për integrimin e Kosovës në NATO në të ardhmen.

“Më pas, të dy Shefat e Mbrojtjes zhvilluan një diskutim të detajuar mbi fushat me interes të përbashkët për bashkëpunim bilateral. Ata biseduan për finalizimin e bashkëpunimit reciprok në disa aspekte kryesore, duke përfshirë shkëmbimin e kadetëve, arsimin ushtarak, trajnimet specialistike, stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet kolektive”, thuhet në njoftimin e FSK-së.