Lista e pritjes në Klinikën e Radiologjisë është ulur në 5 javë, ndërsa paraprakisht ishte 13 muaj.
Në klinikën e lartcekur 120 mijë e 684 pacientë kanë kërkuar shërbime nga janari deri në shtator të këtij viti.
Kjo u bë e ditur nga drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza, në një intervistë për EO.
Ajo tha se krahas numrit të lartë të pacientëve, shërbimet rezultojnë të jenë edhe më të larta, pasi një pacient mund t’i marrë disa shërbime tjera.
“65.300 raste vetëm ekzaminime me rengen, CT ekzaminimi janë 21.350, rezonancë magnetike janë 11.250 pacientë e kështu më radhë”, u shpreh Nuza.
Ndërsa për funksionimin e aparaturave, ajo konsideron se janë në rregull, ndonëse thekson se disa prej tyre janë paksa të vjetruara.
“Për momentin, aparaturat i kemi paksa më të vjetra e disa më të reja por për momentin të gjitha i kemi funksionale. Rezonanca magnetike në Klinikën e Radiologjisë punon me dy ndërrime. Pjesa e pasdites gjithmonë i dedikohet pacientëve ambulatore”, deklaroi drejtoresha.
Nuza tha se aktualisht biopsinë e kryejnë brenda javës.