Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka folur për ‘krizën’ e xhirove të fundit të skuadrës së tij në rezultate të Superligës së Kosovës.
Batatina në një intervistë për GazetaBlic Sport tha se çdo skuadër e madhe kalon në periudha të tilla, teksa potencoi që largimi i Muhamet Hysenit dhe Ilir Krasniqit ka krijuar një ‘zbrazëti’ në skuadrën e tij.
“E kam pasur parasysh se mund të kem probleme në këtë kampionat, duke ditur se po të mos i kesh dy lojtarët më të mirë që kanë qenë në Superligën e Kosovës si, Muhamet Hyseni dhe Ilir Krasniqi. Klubi ka përfituar nga ta, por si trajner kam mbetur ‘mangu’ pasi nuk kam mundësi t’i zëvendësoj ata djem. Mund të kem lojtarë të mjaftueshëm te Llapi, por zëvendësimet e tyre janë shumë të vështira dhe vijnë me kohën. Kanë qenë shtylla e ekipit tim, megjithatë kam një kontigjent të mirë të lojtarëve, e kuptoj krizën që i kap të gjitha skuadrat e mëdha, por trajnerët e mëdhenj në këto kohë duhet ta nxjerrin skuadrën nga kriza, mendoj që edhe këtë gjë do ta bëjë si trajner. Shpresoj që kemi me dalë shpejt nga kriza e rezultateve dhe do kthehemi te rezultatet pozitive. Kemi skuadër të mirë dhe mendoj që kemi potencial për të luftuar për pozitat e para në tabelë”, tha Tahir Batatina për GazetaBlic Sport.
Llapi pozicionohet në vendin e shtatë në Superligën e Kosovës, teksa duelin e radhës do ta zhvillojnë të hënën si mysafir i Dritës.