Lajme

Hamza: Kemi pasur regres në dialog, aktualisht e kemi kemi ofertën më të varfër në tavolinë

11/21/2024 22:00
nga:Sh R

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se procesi i dialogut nuk është aspak i lehtë, por është i domosdoshëm. Ai në Rubikon të Klan Kosovës, theksoi se historia nuk mund të ndryshohet dhe se vendi ynë ka paguar çmim të lartë për historinë e saj.

“Dialogu nuk është proces i lehtë dhe nuk është proces që konvertohet në përkrahje politike. Ne mundemi me injoru dhe me thënë që nuk ekziston si temë apo nuk është si prioritet, por në fakt është në tavolinë. Historinë nuk mundet me u ndryshu. Kosova ka paguar çmim të lartë në historinë e saj dhe posaçërisht dekadën e fundit e dimë numrin e viktimave dhe numrin e viktimave të dhunës seksuale, shkatërrimet dhe dëmet materiale, por historia nuk ndryshohet. Ne do të punojmë për të ardhmen për ne, do të punojmë për prespektiven”, theksoi Hamza.

Ai shtoi se dialogu është proces i domosdoshëm, sepse viteve të fundit Kosova ka pasur vetëm regres në këtë proces.

“Dialogu është proces i domosdoshëm. Viteve të fundit ne kemi pasur regres në këtë proces dhe nëse ju referohemi të gjithave zhvillimeve paraprake s’kanë qenë të fare lehta dhe ju referohemi letrave të dy presidentëve. Presidentit Joe Biden dhe presidentit Donald Trump, brenda atyre letrave ka qenë njohja e ndërsjelltë, fillimi i dialogut dhe zhvillimi është bërë që të ndodhë njohja e ndërsjelltë mes dy vendeve dhe të krijohet një perspektivë e re. Fatkeqësisht, viteve të fundit kemi pasur një regres në dialog dhe aktualisht kemi kemi ofertën më të varfër në tavolinë, të cilën e ka pasur ndonjëherë Kosova. Tash po flasim për një normalizim të marrëdhënieve, e cila nuk e ka njohjen resiproke. Nëse e shikojmë edhe draftin që na është ofruar, ka probleme”, theksoi Hamza.

Ai tha se do të kemi një ekip të mirë e të përgatitur për dialogun me Serbinë.

“Sigurisht që do të sillemi shumë përgjegjshëm me një ekip shumë të mirë dhe shumë të përgatitur. Dialogu duhet të vazhdojë, nuk është temë e lehtë, por duhet të jemi pjesë e dialogut me njerëzit më kompetentë të fushës”, u shpreh Hamza.