Lajme

Reagimi për Asociacionin/ Lekaj: BE-ja po humb durimin me qasjen e Kurtit

11/21/2024 23:13
nga:Sh R

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se reagimi i BE-së ndaj Kurtit për Asociacionin është një mesazh i qartë se Kosova nuk mund të shmangë përgjegjësitë që ka marrë në kuadër të dialogut.

Lekaj në një prononcim për GazetaBlic, thotë se BE po e humb durimin me qasjen e Kurtit, sidomos kur bëhet fjalë për marrëveshjet e nënshkruara më parë.

“Reagimi i BE-së ndaj Kurtit për Asociacionin është një mesazh i qartë se Kosova nuk mund të shmangë përgjegjësitë që ka marrë në kuadër të dialogut. Bashkimi Evropian duket se po e humb durimin me qasjen e Kryeministrit Kurti, sidomos kur bëhet fjalë për marrëveshjet e nënshkruara më parë”, thotë ai.

Ndër të tjera, deputeti thekson se BE-ja dërgoi një mesazh paralajmërues se pa një angazhim të plotë në dialog, progresi politik dhe ekonomik i vendit mund të bllokohet.

Ai shton se kjo situatë po tregon edhe një herë dështimin e qeverisë aktuale për të krijuar një strategji të qartë dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për çështje kaq delikate.

“Në këtë kontekst, BE-ja po dërgon një mesazh paralajmërues jo vetëm për Qeverinë e Kosovës, por edhe për opinionin publik, se pa një angazhim të plotë në dialog, progresi politik dhe ekonomik i vendit mund të bllokohet. Kjo situatë tregon edhe një herë dështimin e qeverisë aktuale për të krijuar një strategji të qartë dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për çështje kaq delikate”, përfundoi ai për GazetaBlic.