Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas miratimit të buxhetit, derisa ka thënë se ai është pa vizion të qartë për Kosovën dhe është buxhet i stagnimit e regresit politik, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se për herë të parë s’janë marrë parasysh amendamentet e opozitës në buxhet, derisa këtë e ka quajtur veprim tërësisht jodemokratik dhe diskriminues.
Krasniqi ka shtuar se buxheti është jetëshkurtër sepse pas 9 shkurtit, LDK do ta rishikojë buxhetin pasi do të ketë në pushtet.
Postimi i saj i plotë:
Sot u miratua buxheti për vitin 2025. Një buxhet pa vizion të qartë për Kosovën, një buxhet i stagnimit e regresit ekonomik.
Edhe në vitin 2025 Albin Kurti e Vetëvendosje synojnë t’a mbajnë popullin me lëmosha e jo me zhvillim e punësim.
Për herë të parë, nuk janë marrë parasysh amendamentet e opozitës në buxhet. Një veprim tërësisht jodemokratik dhe diskriminues.
Ky buxhet është jetëshkurtër. Pas 9 shkurtit, me rikthimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeverisje dhe Lumir Abdixhikun si Kryeministër, ky buxhet do të rishikohet.