Lajme

“Buxheti 2025 injoron kostot e kontratave kolektive” – Ibrahimi: Kjo është gjakderdhje financiare

11/21/2024 18:58
nga:G B

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka kritikuar deputetët për miratimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2025, duke theksuar se kërkesat e komunave për një vijë buxhetore që do të mbulonte kostot e zbatimit të kontratave kolektive janë refuzuar.

Sipas tij, edhe pse janë zhvilluar takime me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Transfere dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, shqetësimet e komunave janë injoruar.

“Kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qendror edhe ata duhet me dit se sa mjete financiar që iu merren komunave duke u bazuar në nënshkrimin e kontratave, vetëm këtë vit komunave iu kanë marrë deri më tani mbi 62 milionë euro, vetëm këtë vit, kjo është gjakderdhje financiare”, ka deklaruar Ibrahimi në emisionin FIVE.

Ai ka shtuar se refuzimi i kësaj kërkese, si nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ashtu edhe nga Kuvendi, është një shembull i papërgjegjshmërisë së nivelit qendror ndaj sfidave që përballen komunat e vendit.

“Ne kemi kërkuar që niveli qëndro ta parandalojë më këtë gjakderdhje financiare duke paraparë një vijë buxhetore për mbulimin e kostos financiare për kontrata kolektive, kjo nuk po ndodhë. Kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhur jo vetëm për këtë por edhe për sfidat tjera”, ka deklaruar Ibrahimi.

Votimi i Buxhetit për vitin 2025, Kurti: Është për rreth 9% më i lartë krahasuar me vitin paraprak

 

Miratohet në lexim të dytë buxheti për vitin 2025