Komuna e Prishtinës, ka dy ditë që ka filluar të bëjë dekorimin e sheshit për festat e fundvitit.
Vitin e kaluar për këtë dekorim nga kjo komunë ka ndarë tender për kompaninë “Finesë Design SHPK”, me një vlerë prej 35 mijë e 400 euro.
Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit komuna e kryeqytetit ka ndarë për dy kompani që të përkujdesen për dekorimin.
Sipas dosjes së tenderit kompania “Agro Bau” është shpërblyer në Lotin 1 me çmimin 127 mijë e 700 euro, ndërsa kompania “Te Fatosi” është shpërblyer me kontratë në vlerë 79 mijë e 920 euro në Lotin 2.
E në lidhje me këtë çështje, asambleisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besart Krasniqi, në një intervistë dhënë për GazetaBlic, nuk shprehet i kënaqur.
Ai thekson se shuma e ndarë për këtë dekorim është shumë e madhe, tepruese dhe jo adekuate, pasiqë sipas tij i pari i Prishtinës duhet të ketë parasysh problematikat e tjera të qytetarëve.
“Është e vërtet që komuna e Prishtinës, z.Përparim Rama ka ndarë buxhet prej 207 mijë euro për dekorimin e qytetit të Prishtinës, unë mendoj që kjo shumë është mjaftë e madhe dhe është shumë tepruese përshkak se forma e buxhetit të Prishtinës duhet me pasë parasysh që qytetarët e Prishtinës përballen me shumë probleme të tjera në infrastrukturë të përgjithshme dhe problematika të tjera. Dhe mendoj që kjo shumë nuk është shuma adekuate, dhe nuk është shumë e cila është dashur të ndahet për dekorimin e qytetit”, tha ai.
Sipas asambleistit të VV-së, kërkesat e qytetarëve janë të përhershme.
“Një dekorim zgjatë një muaj ditë kurse kërkesat e qytetarëve janë të përhershme”, pohoi ai.
Ndryshe, Krasniqi vlerëson se kryetari i komunës po i ‘favorizon’ bashkëpuntorët e tij me tenderët që po i jep.
“Dallimi është shumë i madh me vitin e kaluar shuma prej 35 mijë euro në 207 mijë euro tregon edhe vet shuma që është një dallim shumë i madh. Unë mendoj që kryetari Raama në një farë mënyre po i favorizon edhe ato firmat e veta ose bashkëpuntorët e vet, ndryshe këta nuk mundemi me pa përshkak se me bë kaq dallim të madh prej vitit në vit nuk kuptohet ndryshe përpos se një i favorizon njerëzit e afërm që i ka”, tha Krasniqi ndër të tjera.
Tenderi i vitit të kaluar (2023):
Tenderi i këtij viti (2024):
/GazetaBlic/