Lajme

Lukashenka fal edhe 32 të burgosur politikë

11/20/2024 23:25
nga:G B

Alyaksandr Lukashenka, lideri autoritar i Bjellorusisë, ka falur edhe 32 të burgosur politikë, sipas kanalit proqeveritar në Telegram Pul Pervogo, edhe pse vlerësohet se 1.300 aktivistë opozitarë vazhdojnë të jenë prapa grilave në Bjellorusi.

Identiteti i të burgosurve të falur nuk është zbuluar, por sipas raportimit, të gjithë kishin qenë të dënuar për ekstremizëm, akuzë që gjerësisht është përdorur kundër aktivistëve politikë.

Sipas kanalit në Telegram, në mesin e të falurve ishin 24 burra dhe tetë gra dhe nëntë nga ta ishin mbi moshën 50-vjeçare.

Vendimi për falje nënkupton lirimin e individëve nga vuajtja e dënimit të tyre, por jo edhe heqja e akuzës nga regjistrat për të kaluarën e tyre kriminale. Ata do të vazhdojnë të monitorohen nga Ministria e Brendshme, u tha në raportim.

Kjo është hera e gjashtë gjatë këtij viti që Bjellorusia fal të burgosur politikë, duke bërë që në total deri më tani të jenë falur 178 persona. Më herët gjatë këtij muaji, 31 të burgosur politikë u falën.

Vendimi i fundit për falje vjen pas shtypjes së ashpër të disidencës, pasi Bjellorusia u përball me protesta masive më 2020, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale. Lukashenka u përgjigj me shtypje të fuqishme të protestave, duke detyruar të paktën 13.000 persona të largoheshin nga vendi.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, afër 1.300 të burgosur politikë vazhdojnë të jenë në burgjet bjelloruse dhe në mesin e tyre ka edhe gazetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Bjellorusia pritet të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale në janar të vitit 2025 dhe Lukashenka gjerësisht pritet të shpallet fitues./REL