Lajme

Policia gjen uniforma, municion dhe pajisje tjera ushtarake në Zubin Potok

11/20/2024 18:57
nga:Sh R

Policia e Kosovës gjatë një kontrolli sot në Drobnjak të Zubin Potokut ka gjetur dhe sekuestruar pajisje ushtarake, si dhe një sasi të fishekëve të kalibrave të ndryshëm.

Ky armatim sipas tyre është gjetur pas kërkimit të një personi me iniciale S,M në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018.

Tutje, thuhet se armatimi është gjetur në malin e personit të dyshuar i cili po kërkohej në këtë lokacion.

“Me datën 20.11.2024 rreth orës 12:00 njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikeve – Mitrovicë Veri në koordinim me njësitë policore Mitrovicë Veri me autorizim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë në fshatin Drobnjak Komuna Zubin Potok ka kërkuar të dyshuarin me iniciale ( S.M.) si person në kërkim në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018.

I dyshuari nuk është gjetur në lokacionin ku dyshohej se mund të jetë, mirëpo në pronën e tij gjegjësisht në mal në një vend të mbuluara me dhe janë gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake. Në vendin e ngjarjes është thirrë njësia e specializuar respektivisht njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive, ku gjatë kontrollit edhe në 3 (tri) vende tjera të groposura janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të ngjashme”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë marrë nga Policia janë:

– Uniformë ushtarake

– Pjesë të pushkëve të gjata

– Jelek taktik

– Gas maska

– Një tytë e pistoletës,

– Një palë pranga dhe

– 1471 fishekë të kalibrave të ndryshëm

Tëvë1 mëson se i dyshuari është Sergjan Drobnjak – në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin Potokut i cili ishte hetuar në vitin 2018.