Lajme

Hallkat Elektronike ende pa funksionalizim

12/01/2024 13:26
nga:N K

Muaj më parë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka nënshkruar kontratën me një Operator Ekonomik me qëllim të zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike.

E përdorimi i tyre thuajse përmendet shpeshherë, e sidomos kur ka raste të vrasjeve të grave.

Hallka elektronike janë sistem i mbikëqyrjes së kryerësit të dhunës në familje, të cilat vendosen në dorë ose në këmbë të dhunuesit, në atë mënyrë që ai të mos iu afrohet viktimës.

“Hallkat elektronike janë diqka që vendosen në dorë ose në këmbë dhe është sistem që përcjellët me lëvizjet e kryerësit të dhunës në familje në mënyrë që ai të mos i afrohet viktimës. Dhe të alarmohet viktima për çdo rast të dhunuesit andaj policia e monitoron si proces”, kështu tha kohë më parë Nazlie Bala, këshilltare politike e ministres së Drejtësisë.

Por, ky ligj i miratuar që nga viti 2015, ende nuk ka zbatim.

Një gjë të tillë avokati, Ardian Bajraktari e vlerëson si mungesë e vullnetit politik.

“Kjo është refleksion i mungesës së vullnetit politik, jo vetëm i zbatimit të këtij ligji, por refleksion i mungesës së vullnetit për parandalim të dhunës ndaj grave, dhunës në familje e veprave të ngjashme”, tha ai në një përgjigje dhënë për GazetaBlic.

Po ashtu, Bajraktari thekson se është për keqardhje mosfunksionalizimi i këtij programi, duke marrë parasysh avantazhet që do të sjellte në vendin tonë.

“Është për keqardhje se si u deshën kaq kohë, e akoma se kemi këtë program funksional, kur vihet parasysh fakti se zbatimi i tij do të parandalonte shumë raste të dhunës në familje e mbase edhe vrasje si dhe ri-viktimizim”, tha ai.

Sipas Bajraktarit, një gjë e tillë do të lehtësonte edhe punën brenda proceseve gjyqësore.

“Vlen të sqarohet se mbikëqyrja elektronike është mekanizmi që garanton zbatimin efektiv të vendimit të gjykatave, nëpërmjet përcaktimit në kohë reale të vendndodhjes së një personi, me anë të përdorimit të mjeteve elektronike të vendosura në trupin e tij”, shtoi ai.

Ndërsa, avokatja Eranda Mahmuti,  në një prononcim dhënë për GazetaBlic, vlerëson se duhet siguruar që këto hallka mos të shkelin të dretjat e të akuzuarve.

E gjithë kjo siguri, sipas avokatës vie nga kontrolli dhe përputhja me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Për të siguruar se hallkat elektronike nuk do të shkelin të drejtat e të akuzuarve, është e rëndësishme që përdorimi i tyre të jetë i kontrolluar dhe të jetë në përputhje me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky mekanizëm duhet të zbatohet vetëm pas një analize të plotë të rrezikut që personi përbën për shoqërinë dhe viktimën. Gjithashtu, duhen garantuar mundësitë e ankimimit dhe kontrollit të vazhdueshëm për të parandaluar përdorimin abuziv të teknologjisë”, tha ajo.

Mahmuti shton se vendosja e kësaj hallke elektronike ndihmon edhe në përshpejtimin e procedurave gjyqësore.

“Vendosja e hallkave elektronike mund të ndihmojë në shpejtimin e procedurave gjyqësore dhe të forcimit të mekanizmave të mbikëqyrjes, por gjithashtu kërkon përgatitje të duhur të institucioneve për të administruar këto teknologji. Do të kërkojë investime në infrastrukturë dhe trajnimin e personelit për përdorimin e saj. Nëse përdoret në mënyrë efikase, mund të përmirësojë mbrojtjen e viktimave dhe të dërgojë një mesazh të fuqishëm kundër dhunës”, tha ndër të tjera ajo.

GazetaBlic ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Drejtësisë, se kur pritet që të funksionalizohen hallkat elektronike, por të njejtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

/GazetaBlic/