Lajme

‘Le Monde’- Shqipëria në metamorfozë falë rritjes së ndjeshme të turizmit

11/20/2024 14:01
nga:Y I

Shqipëria ka regjistruar rritjen më të madhe të numrit të vizitorëve në Evropë që nga viti 2019.

Kjo rritje po e transformon me shpejtësi vendin e vogël mesdhetar, ende me themele të brishta, shkruan Jessica Gourdon në një artikull të botuar në të përditshmen franceze “Le Monde”.

Në bregdetin shqiptar atmosfera verore vazhdon ende , edhe pse po afron fundviti.

Në “Fllad Resort&Spa”, në perëndim të kryeqytetit, Tiranë, mund të notoni në detin Adriatik, madje edhe nëse mbrëmjet janë të freskëta, bari i pishinës shërben pa limit mohito dhe vodka.

“Para se të vija këtu, nuk dija asgjë për këtë vend”, tha Nancy Mignon, 39 vjeçe, me pushime në “Fllad Resort” me partnerin e saj dhe disa miq.

“Shqipëria është një destinacion turistik i ri, i bukur dhe është i lirë”, tha turistja – e cila jeton pranë Charleroi, në Belgjikë duke cituar operatorin turistik FRAM.

Grupi i vogël i turistëve u shpreh i befasuar nga Shqipëria – falë atmosferës mesdhetare, plazhit, vizitave në Tiranë apo fshatrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit…

Dhe hoteli krejtësisht i ri, me dhomat e tij të mëdha dhe pllakat e ndritshme.

“Këtë vit, ne sollëm 6000 turistë në vendin mesdhetar – i cili i tejkaloi të gjitha pritshmëritë tona”, tha François Perrin, kreu i FRAM.

“Ne sapo kemi nënshkruar një tur të tretë për vitin 2025”, shtoi ai.

Një nga arsyet e këtij suksesi janë çmimet që ofron ky vend – që ndodhet në zemër të Evropës.

Në “Fllad Resort&Spa”, turistët, pothuajse të gjithë francezë, paguan nga 500 deri në 600 euro në javë për person, për një qëndrim të plotë, përfshirë fluturimin nga Franca.

“Është shumë më lirë se Greqia apo Kroacia”, tha Franck Legrain, 51 vjeç, i cili ndodhej me pushime se bashku me partneren e tij.

“Gjithashtu, në patëm mundësi të zbulonim një kulturë dhe një histori për të cilën nuk kishim asnjë ide”, tha Legrain, i cili jeton në Gard.