Lajme

Gjermani: 14 vjeçari nga Kosova del nga koma pas disa muajsh

11/20/2024 07:25
nga:Y I

Një lajm i mirë vjen nga Gjermania për gjendjen shëndetësore të një djaloshi të mitur nga Kosova.

Mediat gjermane raportojnë se 14-vjeçari ka dalur nga koma pas disa muajsh.

Në muajin korrik ai kishte pësuar djegie të mëdha trupore pasi kishte rënë në kontakt me kabllot e rrymës në një hekurudhë.

Djaloshi thuhet se ishte ngjitur sipër një vagoni të trenit në Wolfratshausen, dhe e kapi kabllon e rrymës që ndodhej sipër.

Ai ishte goditur nga rryma dhe kishte rënë nga një lartësi prej pesë metrash.

Si pasojë e lëndimeve të rënda ai u dërgua menjëherë me helikopter në Klinikën e Munchenit, raportojnë mediat gjermane transmeton Klankosova.tv

Kosovari atë kohë sipas zëdhënëses së policisë Sina Dietsch kishte djegje prej 80 përqind të sipërfaqes trupore.

Por, ai shpëtoi falë një operimi emergjent.

14-vjeçari nga Kosova u vendos në koma dhe për disa muaj nuk dihej aq shumë për gjendjen e tij shëndetësore.

Të martën zëdhënësi i Policisë Federale të Munchenit, Wolfgang Hauner, ka shpjeguar se kosovari është zgjuar nga koma.

Ai ka thënë se djaloshi ende po trajtohet për plagët e rënda që mori.

I mituri ka qenë në një klinikë specialiste në Hannover për katër javë. Atje është trajtuar për plagët e djegies. Ai pas dy jave do t’i nënshtrohet një trajtimi tjetër në Hamburg.

Në mbrëmjen e aksidentit, kosovari ishte në hekurudhë me dy shokë tjerë 16-vjeçarë.

Një nga ta mori lëndime po ashtu serioze, por jo në rrezik për jetën transmeton Klankosova.tv

Zyra e prokurorit publik të Munchenit kishte hapur procedurë penale ndaj tre djemve dhe nisi hetimet për ndërhyrje të rrezikshme në trafikun hekurudhor.

“Gjatë hetimeve, u bastisën shtëpitë për shkak se kishte dyshime se aksidenti ishte rezultat i një trendi në TikTok. Mirëpo, rezultoi se nuk ishte ashtu. Kështu që u ndalën procedurat ndaj tre djemve”, ka thënë zëdhënësi policor Hauner.