Lajme

Hill thotë se duhet shumë punë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

11/19/2024 18:15
nga:Mergim Rreci

Ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill tha se duhet bërë shumë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se është e rëndësishme të mbështetet dialogu i udhëhequr nga BE-ja.

Në Konferencën e Sigurisë në Beograd ai theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen kushte për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është shumë e rëndësishme që të aktivizohen ato procese dhe të krijohen kushte për normalizimin e marrëdhënieve. Por, padyshim që ka shumë punë për të bërë. Kjo është diçka që është pjesë e kësaj administrate aktuale, por edhe e të ardhshmes, sepse problemi nuk mund të zgjidhet menjëherë. Duhet të punohet shumë për të arritur statusin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Hill.

Hill shtoi se i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka bërë shumë propozime pozitive për tema të shumta, duke përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Këto janë gjëra që ai i ka nisur që në fillim dhe duhet të zbatohen. Më vonë, nëse të gjithë bëjnë atë që sugjeroi Lajçak, do të jemi në një vend më të mirë. Sigurisht që kemi humbur kohë për shumë arsye, por duhet t’i rikthehemi punës”, theksoi ambasadori amerikan, raportojnë mediat serbe.

I pyetur lidhur me konstatimet se që vijnë nga mediat në Kosovës se Serbia nuk ka zbatuar marrëveshje të caktuara, por se ka presion ndaj Kosovës për ta bërë këtë, Hill thekson se nuk është i sigurt nëse do të pajtohej me atë pikëpamje.

“Gjithçka është shumë më komplekse dhe ne duhet të vazhdojmë normalizimin dhe të miratojmë propozimet e bëra nga Lajçak. Nuk mund të pajtohem me deklaratën tuaj [gazetarit]. Mendoj se nuk po e shihni shumë mirë situatën dhe duhet të kuptoni se është një proces kompleks që përfshin të dyja palët”, tha Hill.

I pyetur nëse dialogu do të zhbllokohej nëse Prishtina dërgonte draftin evropian të statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, Hill tha se kjo është punë e Lajçakut dhe duhet të pyetet ai për mendimin e tij.

“Mendimi ynë është se duhet të mbështesim Lajçakun, propozimet e tij dhe të përpiqemi t’i miratojmë sipas marrëveshjes së përbashkët”, theksoi ai.

I pyetur se si do të ndikojë zgjedhja e presidentit të ri të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill thekson se aktualisht në Uashington është një periudhë tranzicioni.

“Duhet bërë shumë punë kur bëhet fjalë për emërimin e zyrtarëve [amerikanë] në poste të larta. Pasi kjo të përfundojë, do të ketë emërime në poste të tjera, shumë prej të cilave duhet të konfirmohen nga Senati. Duhet të shohim se si do të zhvillohet gjithçka dhe për momentin nuk mund t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje”, përfundoi Hill.