Drejtori i zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “mohimi i obligimit të Kosovës që të mundësojë formimin e Asociacionit, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit, është shkatërrimi më i drejtpërdrejtë i dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por mbi të gjitha është vazhdimësi e politikës së persekutimit dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, se nuk është obligim i tij formimi i Asociacionit, Petkoviq ka thënë se shtrohet pyetja se cili është obligimi i Kurtit atëherë.
“A është obligim i tij persekutimi i serbëve dhe pushtimi i veriut, pasi siç duket obligimet nga dialogu nuk ekzistojnë për Kurtin”, ka pyetur Petkoviq.
Sipas fjalëve të tij “ky është kusht i domosdoshëm për mbijetesën e serbëve”.
“Pa themelimin e tij nuk mund të ketë dialog produktiv, sepse serbët e Kosovës aktualisht nuk kanë as parakushtet minimale për një jetë normale dhe janë në mëshirë të regjimit të dhunshëm të Albin Kurtit. Nuk është e palogjikshme që Kurti mashtron bashkësinë ndërkombëtare dhe shmang zbatimin e obligimeve që Prishtina ka marrë përsipër gati 12 vjet më parë, sepse dikush programi politik i të cilit është çrrënjosja e serbëve as që mund të pritet të ndërmarrë hapa që do të mbronin dhe forconin të drejtat politike dhe të njeriut të “popullit” serb”, ka pretenduar Petkoviq.
Ai gjithashtu ka thënë se “Serbia me muaj ka paralajmëruar se fushata e dhunës së Kurtit ndaj “popullit serb” është diçka që çon në drejtim të kundërt nga normalizimi i marrëdhënieve dhe se çdo gjë në dialogun e deritanishëm haptazi po shfuqizohet”. Megjithatë, siç vazhdon ai në propagandën e radhës, “nuk ka pasur asnjë reagim efektiv nga partnerët ndërkombëtarë”.
“Para syve të bashkësisë ndërkombëtare po zhvillohet një proces i destabilizimit, që mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe për këtë është e nevojshme që partnerët ndërkombëtarë të ndërmarrin hapa konkretë dhe të ndalojnë veprimet destruktive të Kurtit, i cili me sa duket nuk reagon ndaj kritikave të buta në deklaratat sporadike të KUINT-it”, përfundon Petkoviq, si zakonisht me kërcënime boshe.