Lajme

Presidentja ia kthen Kuvendit në rishqyrtim edhe një ligj, atë për Këshillin e Sigurisë

11/19/2024 12:56
nga:G C

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë vendim, me të cilin e ka kthyer në Kuvend, Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili është miratuar më 31 tetor 2024.

Në vendimin e marrë nga Presidentja, të cilin vendim e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” brenda Kuvendit të Kosovës, thuhet se ky ligj parasheh shfuqizimin e Ligjit Nr. 03/L-050 për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Në arsyetim, Presidentja thekson se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë dhe duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.

Po ashtu, Presidentja në vendimin e saj ka përmendur se Ligji në fjalë bie në kundërshtim me nenin 125 (2) dhe nenin 127 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas Presidentes, mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, krijon vakum juridik.

Si vazhdë e kundërshtimit me Kushtetutën, neni 131 (8), të këtij ligji, Presidentja thekson edhe çështjen e rregullimit me ligj të funksionimit të Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se paragrafi 8 i këtij neni shprehimisht përcakton se Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i vendit, sikur rregullohet me ligj.

Presidentja i ka rikujtuar Kuvendit edhe se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (KO34/19), Kuvendi obligohet që gjatë nxjerrjes së ligjeve të ketë parasysh frymën e Kushtetutës dhe fushëveprimin e institucioneve kushtetuese.

Osmani në vendimin e saj ka renditur edhe pasojat e zbrazëtirave ligjore në Ligjit për Këshillin e Sigurisë, duke thënë se miratimi i një ligji të ri i cili krijon zbrazëti ligjore pikërisht në një fushë e cila ndërlidhet ekskluzivisht me kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, bie ndesh me standardet dhe praktikën e krijuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në këto rrethana, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të përfshirjes së kapitullit i cili rregullon funksionimin e Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Lidhur me kthimin e këtij Ligji në rishqyrtim, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës për të kuptuar edhe se çfarë veprime janë ndërmarrë nga ky institucion pas pranimit të shkresave si dhe ka kontaktuar zytarët e Kuvendiit, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi tani është i obliguar të rishikojë projektligjin dhe të shqyrtojë komentet dhe rekomandimet e Presidentes. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Pas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, kjo ëshë hera e dytë që Presidentja Osmani përdor të drejtën për të kthyer ligje në Kuvend për rishqyrtim gjatë mandatit të saj si Presidente./BetimipërDrejtësi