Vrasja makabër me thike e 14-vjeçarit, Martin Cani ka tronditur të gjithë. Ngjarja ka ndodhur pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku 14-vjeçari pas plagëve të marra ndërroi jetë në spital.
Edhe sporti shqiptar është në zi, pasi Cani luante futboll dhe ishte pjesë e klubit të Dinamos me grupmoshën U-15, ëndrra e të cilit u ndërpre në mes nga bashkëmoshatarët e tij.
Për humbjen e parakohshme të Canit ka reaguar edhe Armand Duka. Kreu i FSHF-së shpehet i tronditur nga ky lajm, ndërsa i shpeh ngushëllime familjarëve.
“Miqtë e mi!
Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla!
Aq më teper sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtesisht në mes.
Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!
Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona!
Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!
Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij!
Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre.
Pusho i qetë Martin!
Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!”, shkruhet në postimin e Dukës.