Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar sërish përmes një video në Facebook, derisa ka thënë se ka qenë cak i sulmeve dhe shpifjeve, të drejtuara kryesisht nga LDK e PDK të shoqëruara mandej me lajmeve te rreme, raporton Gazeta Blic.
Peci ka folur dhe për siç thotë “pretendimit se një familjar i një deputeteje është përfites i grantit dhe pretendimit se vetëm 4 ditë para përfitimit të grantit ka hapur biznes”, duke iu referuar lajmeve për vëllain e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.
“Me qëllim të formalizimit ne bujqësi, cdo individ që është përfitues në vlerë më të larte se 30,000 €, para nënshkrimit të kontratës me AZHB-në, duhet t’i regjistrojnë veprimtarinë e tyre si biznes dhe investimet/shpenzimet e zbatimit të projektit duhet të faturohen në emër të biznesit. Në dy programet e fundit për zhvillim rural 351 raste të tilla, ndërmarrje të reja të regjistruara. Ndërsa rreth pretendimit se projekti i përfituar nuk është realizuar, ju informojmë se afati për implementimin e projekteve të tilla zgjat 12 muaj”, ka shkruar ai.
Ministri ka shtuar se “përkundër dëshirës sime që të merrem me emra të përveçëm, më duhet t’i demaskoj të gjithë zhurmuesit me vetë faktin se në qeverisjen tonë angazhimi politik nuk përbën pengesë në realizimin e së drejtës për aplikim dhe përfitim, duke mos e diskriminuar askënd mirëpo duke e trajtuar secilin në mënyrë meritore dhe të barabartë”.
Ai ka paralajmëruar se në postimet e radhës do të ketë individë me mandate politike, të të gjitha partive politike përfitues të mbështetjes institucionale.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Ditëve të fundit kam qenë cak i sulmeve dhe shpifjeve, të drejtuara kryesisht nga LDK e PDK të shoqëruara mandej me lajmeve te rreme, lincimeve, e ofendimeve të sinkronizuara nga disa zhurmues që thirren në emër të qytetarëve dhe fjalës së lirë.
Dëshiroj të informojmë opinionin e gjërë, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe etike, se mbi 118,000 përfitues të subvencioneve e mbi 1000 përfitues të granteve, në asnjë rast të vetëm,nuk kam ushtruar asnjë ndikim e asnjë intervenim.
Për qartësim të opinionit, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka mandat vlerësimin e granteve dhe subvencioneve. Ministri e stafi i tij, nuk kanë qasje në këtë proces.
Që nga aplikimi në formë elektronike në web faqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë e deri tek përfundimi i kontrollit administrativ dhe shpalljes së përfituesve, ekziston Trupa Vlerësuese/Miratuese e cila ka për detyrë që të sigurohet nëse projektet janë të hartuara në bazë të kritereve dhe dokumenteve të përcaktuara me program dhe udhëzim administrativ.
Rreth pretendimit se një familjar i një deputeteje është përfites i grantit dhe pretendimit se vetëm 4 ditë para përfitimit të grantit ka hapur biznes më lejoni që t’iu qartësoj reformën që kemi ndërmarrë.
Me qëllim të formalizimit ne bujqësi, cdo individ që është përfitues në vlerë më të larte se 30,000 €, para nënshkrimit të kontratës me AZHB-në, duhet t’i regjistrojnë veprimtarinë e tyre si biznes dhe investimet/shpenzimet e zbatimit të projektit duhet të faturohen në emër të biznesit.Në dy programet e fundit për zhvillim rural 351 raste të tilla, ndërmarrje të reja të regjistruara. Ndërsa rreth pretendimit se projekti i perfituar nuk është realizuar, ju informojmë se afati për implementimin e projekteve të tilla zgjat 12 muaj.
Nuk më habisin titujt bombastik e as lincimet që vijnë nga mendësia kriminale dhe korruptive pasi që nisen nga vetja dhe nga pretendimi se cdo listë e përfituesve duhet të kalojë kah zyra e Ministrit. Mirëpo jo në rastin tonë. Ne kemi eleminuar kriteret diskriminuese duke i bërë programet tona të qasshme ndaj secilit fermer, duke u bazuar në meritokraci e transparencë!
Përkundër dëshirës sime që të merrem me emra të përvetshëm, më duhet t’i demaskoj të gjithë zhurmuesit me vetë faktin se në qeverisjen tonë angazhimi politik nuk përbën pengesë në realizimin e së drejtës për aplikim dhe përfitim, duke mos e diskriminuar askënd mirëpo duke e trajtuar secilin në mënyrë meritore dhe të barabartë.
Si dëshmi që ne nuk e kemi dikriminuar askënd, në postimet e rradhës do të gjeni individë me mandate politike, të të gjitha partive politike përfitues të mbështetjes institucionale.
E ky është ndryshimi!