Një 14-vjeçar ka humbur jetën të hënën në Tiranë, si pasojë e një përleshjeje me thikë në mes të tre të miturve, nxënës të shkollës “Fan Noli”.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 13:00, pas përfundimit të mësimit.
Policia ka thënë se si pasojë e konfliktit mes tre të miturve, dhe si pasojë e dëmtimeve, njëri ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është në spital, nën kujdesin e mjekëve.
I mituri i tretë është shoqëruar në polici, ndërsa po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
Ministria e Arsimit ngushëlloi familjen e viktimës dhe u kërkoi institucioneve të zbardhin menjëherë rrethanat e ngjarjes.
“Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë”, është thënë në deklaratën e ministrisë.
Vetë ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, është shprehur e tronditur nga ky rast.
“Është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. Na fton që si përfaqësues të qytetarëve të angazhohemi më shumë për ambient më të sigurt për fëmijët tanë”, ka thënë ajo.
Opozita, në anën tjetër, ka thënë se ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Manastirliu duhet japësh dorëheqjen dhe të ikësh me turp nga ky skandal, pasi keni dështuar që me psikologët në shkolla, te oficeret e policisë në shkolla”, ka thënë deputetja e opozitës Ina Zhupa, pas deklaratës së ministres së Arsimit.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj reagoi duke theksuar se ngjarja e rëndë shqetëson dhe ngarkon me përgjegjësi të gjithë për mjedisin ku po rriten dhe edukohen fëmijët duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen.
“Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë. Fëmijët meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”.
Këtë vit shkollor është rritur numri i zyrtarëve policorë të angazhuar për sigurinë në shkolla, duke e çuar shifrën totale në 240.
Qeveria premtoi se buxheti për vitin tjetër parasheh fonde për rritje të numrit të zyrtarëve, ashtu që secila shkollë të ketë një zyrtar të sigurisë.
Kjo masë është pjesë e nismës Paketa e Sigurisë në Shkolla, që është në vitin e dytë të zbatimit.
Kjo masë është hartuar për shkak të rritjes së numrit të veprave penale të regjistruara pranë shkollave, ku shpesh përfshiheshin edhe të mitur./REL