Sporti

Franca synon ta mbyll vitin 2024 si lidere e renditjes së FIFA-s

11/18/2024 16:57
nga:E K

Viti 2024 për Francën ishte mjaft i komplikuar, por befasisht djelmoshat e Didier Deschamps mund ta mbyllin në krye të renditjes së FIFA-s këtë vit.

Fitorja prestigjioze e arritur mbrëmë në San Siro kundër Italisë (1:3) ua dhuroi këtë mundësi “Trekolorëve”.

Gjithçka do të varet tash nga rezultati që do ta regjistrojë Argjentina kundër Perusë në sfidën që do të luhet në natën mes së martës dhe së mërkurës.

Nëse “Albiceleste” nuk fitojnë, Franca do të rikthehet në vendin e parë të ranglistës së FIFA-s për herë të parë që nga shtatori i vitit 2018.

Në rast të humbjes së argjentinasve dhe të fitores së Spanjës kundër Zvicrës, Leo Messi me shokë mund të rrëshqasin madje në vendin e tretë.

Në renditjen e fundit të tetorit, Argjentina i kishte 1883,5 pikë, me një avantazh të lehtë, por e rrezikuar nga Franca (1859,85).

Fituesit e Copa Americas në verën e kaluar, djelmoshat e Lionel Scalonit i kanë marrë vetëm dy fitore në pesë ndeshjet e fundit.

Humbja në Paraguai të enjten arriti një muaj pas barazimit kundër Venezuelës dhe dy muaj pas humbjes nga Kolumbia.

Argjentina është në krye të renditjes së FIFA-s nga prilli i vitit 2023, pak muaj pasi u shpall kampione botërore në Kupën e Botës 2022.

Nga viti 2018, renditja e FIFA-s e përdor sistemin “SUMA”, një algoritëm që i llogarit pikët në bazë të rezultateve dhe të rëndësisë së përballjeve (miqësore, kualifikimet, etj,.), të katër viteve të fundit.