Lajme

Papa Françesku kërkon të hetohet nëse Izraeli kreu gjenocid në Gaza

11/17/2024 18:19
nga:G B

Papa Françesku po kërkon një hetim lidhur me akuzat për gjenocid të kryer nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Kjo është hera e parë që prijësi fetar i katolikëve kërkon këtë, ndërsa në shtator ai tha se sulmet e Izraelit në Gaza dhe Liban kanë qenë “imorale” she jo proporcionale, dhe se ushtria izraelite ka shkuar përtej rregullave të luftës.

Papa kërkesën për hetim e ka dhënë gjatë intervistës në librin e Hernan Reyes Alcaide, i cili titullohet “Shpresa nuk zhgënjen kurrë. Pelegrinët drejt një bote më të mirë”.

Libri i lartcekur do të publikohet të martën para jubileut të Papës 2025. Jubileu njëvjeçar i Françeskut pritet të sjellë më shumë se 30 milionë pelegrinë në Romë për të festuar ata që ata e quajnë “Viti i Shenjtë”.

“Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gaza ka karakteristikat e një gjenocidi”, tha Papa në fragmentet e botuara të dielën nga e përditshmja italiane La Stampa.

“Ne duhet të hetojmë me kujdes për të përcaktuar nëse ai përshtatet me përkufizimin teknik të formuluar nga juristët dhe organet ndërkombëtare,” shtoi ai, shkruan Euronews.com, përcjell Klankosova.tv.

Vitin e kaluar, Françesku u takua veçmas me të afërmit e pengjeve izraelite në Gaza dhe palestinezët që jetonin gjatë luftës.

Ai foli në atë kohë për vuajtjet e izraelitëve dhe palestinezëve pas takimeve të tij, të cilat u organizuan përpara marrëveshjes izraelite-Hamas për pengjet dhe ndalimin e përkohshëm të luftimeve.

Papa kishte kontrollin editorial mbi librin e ardhshëm.