Sporti

Kuka: Ne e përkrahim fuqishëm vendimin e lojtarëve, situata të tilla kemi përjetuar edhe në xhudo

11/17/2024 17:34
nga:E K

Kosova dhe Rumania po e presin vendimin final të UEFA-s për fatin e ndeshjes që u ndalua në Rumani pas thirrjeve raciste ndaj shtetit të Kosovës nga ana e tifozëve rumunë.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka në emisionin “Favorit” ka treguar eksperiencat e tij të ngjashme në sportin ku e përfaqëson Kosovën, shkruan GazetaBlic Sport.

Kuka u shpreh krenar me performancën e Dardanëve teksa tha se situata të tilla kanë përjetuar edhe ai me ekipin e xhudos në shtetet që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Kuka potencoi se eksperienca më e keqe ishte në Rusi, teksa deklaroi se në atë vit kur Majlinda Kelmendi po garonte për titullin e botës ajo ishte afektuar keq nga një zyrtar rus në aspektin psikologjik.

“Ka munguar vetëm goli, kishte një performancë shumë të mirë nga Kosova, ne i përkrahim fuqishëm për të gjitha vendimet që kanë marrë, po eskalon nga loja në lojë. Kjo shkon përtej tifozëllëkut, kjo shkon përtej rumunëve, themelet i ka diku tjetër, themele shumë të fuqishme ata kudo që gjejnë terren në mesin e tifozëve të çdo shteti që luan Kosova ata po investojnë shumë me shërbime të tyre, kam informata serioze në këtë kontekst. Kjo po na ndodhë, nuk besoj që rumunët kanë diçka kundër nesh si popull, apo çekët apo ndonjë shtet tjetër. Unë mendoj që në këto shtete ka më shumë njerëz që janë pro pavarësisë së Kosovës sesa kundër, pjesa politike është diçka tjetër. Gjithmonë kemi pasur edhe ne probleme në shtetet mosnjohëse e sidomos në Rusi. Problemet më të mëdha i kishim në Rusi, për shkak se ata tentuan që të mos na lejojnë të marrim pjesë, jam ballafaquar shpesh personalisht me ta pasi kanë tentuar që sportistët tanë t’i shtyejnë në situtata të atilla që të ndikojnë në aspektin psikologjik jashtëzakonisht keq.

E kemi pasur një rast, në Rusi kur kemi shku. Ne merrnim pjesë në disa vende me flamur të Kosovës e në disa me flamur ndërkombëtar të Federatës së Xhudos deri sa nuk jemi pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në kampionatin botëror 2014, Majlindën e kishte provokuar jashtëzakonisht keq një zyrtar rus edhe ajo duhej të garonte. Në momentin kur erdh kishte një pamje të zbehur në ditën e garave kur ishte pretendente për titull të kampionit botëror. Kur e pyeta më tha se një zyrtar rus i kishte thënë se Kosova nuk do lejohet kurrë këtu të marrë pjesë, kurrë nuk keni me pasë gjasa me pasë simbolet shtetërore”, tha Kuka.

/GazetaBlic Sport/