Sporti

Foda i drejtohet Kurtit: Për neve s’ka rëndësi vendimi i UEFA-s, por vendimi ynë për Kosovën

11/17/2024 16:38
nga:E K

Në prag të ndeshjes kundër Lituanisë në kuadër të Ligës së Kombeve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar për vizitë te Kombëtarja e Kosovës, duke dhënë mbështetjen e tij dhe të qeverisë për futbollistët, stafin dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kjo vizitë e kreut të Qeverisë, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitija, vjen si një gjest solidariteti dhe mirënjohjeje për qëndrimin parimor të Kombëtares në ndeshjen e zhvilluar në Bukuresht kundër Rumanisë, ku futbollistët dhe Federata refuzuan të vazhdojnë lojën pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë.

Edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda foli, duke thënë se për ta nuk ka rëndësi vendimi i UEFA-s, por vendimi i tyre për Kosovën

”Për neve është e rendësishme që e kemi mbështetjen nga ju. Unë besoj se ka qenë vendimi i drejtë në atë moment. Për neve nuk është e rendësishme vendimi i UEFA-s, por ka qenë më i rëndësishëm vendimi ynë. Më e rendësishmja është deklarata e lojtarëve që Kosova është Kosovë, dhe kjo është ajo që vlen më së shumti dhe që racizmi nuk ka vend në stadium. Për këtë është e rendësishme që një shtet të vogël si Kosova të qëndrojmë të bashkuar, dhe pa dyshim na duhet përkrahja e juaj në këto momente”, tha Foda.