Ekonomisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferenc për media ka bërë thirrje për hetime penale ndaj Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi ky i fundit thjesht-ashtu i ka dhënë subvencion bujqësor vëllaut të deputetes së Vetëvendosjes, njëherit kryetare e komisionit për bujqësi, Fitore Pacollit, raporton GazetaBlic.
“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj”.
“Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, tha Mustafa.
Ndërsa, anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka kërkuar hetime nga hetuesia dhe prokuroria.
Në lidhje me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në krejt këtë tregim, Haradinaj tha se ai “nuk guxon të veprojë sepse është vetë i përfshirë”.
Postimi i Haradinajt:
Edhe sa shifra qindmijëshe e milionëshe duhet të keqpërdoren nga kjo qeveri për të vepruar Hetuesia dhe Prokuroria. Sa për kryeministrin dihet që nuk guxon të veprojë, sepse është vetë i involvuar.
Ndaj, këtyre akuzave ka reaguar në fund edhe vetë ministri Peci duke bërë një paralajmërim të fuqishëm për opozitën.
Sipas tij, opozita është e shqetësuar për reformat që janë duke u realizuar në sektorin e bujqësisë, të cilat, sipas ministrit, kanë sjellë ndryshime radikale që kanë ndikuar në eliminimin e “kleptokracisë” që ai e akuzon se ka mbizotëruar në administratën e kaluar.
Ministri ka bërë të qartë se nuk do të ndalet nga sulmet dhe ka paralajmëruar se do të flasë më hapur dhe më ashpër se kurrë më parë.
Peci ka paralajmëruar se çdo ditë do të shpërfaqë veprimet e opozitës, duke i akuzuar për korrupsion dhe për përpjekjet për të mbajtur në këmbë një “installacion kleptomaniak” që ai e ka konsideruar të dëmshëm për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe për përmirësimin e jetës së fermerëve kosovarë.
Si nisi gjithçka?
Egzon Pacolli, sekretar i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK-së, ka publikuar një video, në të cilin ka njoftuar për një ngjarje në Ministrinë e Bujqësisë, që udhëhiqet nga ana e Faton Pecit.
Në video, Pacolli thotë se vëllai i Fitore Pacollit, deputete e VV-së, Blerimi, ka përfituar grant prej 100 mijë eurosh nga Ministria e Pecit.
Tutje, në video, Pacolli tregon se biznesi që përfitoi ishte regjistruar vetëm katër ditë më parë në ARBK.