Lajme

Peci paralajmëron opozitën: Durim horra, nga nesër do t’iu shpërfaq pafytyrësinë dhe kriminalitetin me emra

11/17/2024 14:24
nga:G C

Pas akuzave të fundit të ngritura nga opozita lidhur me ndarjen e një subvencioni prej 100 mijë eurosh për vëllanë e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar me një paralajmërim të ashpër për partitë opozitare, duke theksuar se nuk do të ndalet nga ata, pavarësisht sulmeve që po i bëhen, raporton GazetaBlic.

Në një postim të tij në rrjetet sociale, ministri ka shkruar se sulmet dhe akuzat ndaj tij janë të parashikueshme, duke theksuar se ato kanë nisur nga përkrahësit e PDK-së dhe janë përforcuar nga LDK-ja, e cila ka kërkuar shkarkimin e tij.

Sipas tij, opozita është e shqetësuar për reformat që janë duke u realizuar në sektorin e bujqësisë, të cilat, sipas ministrit, kanë sjellë ndryshime radikale që kanë ndikuar në eliminimin e “kleptokracisë” që ai e akuzon se ka mbizotëruar në administratën e kaluar.

Ministri ka bërë të qartë se nuk do të ndalet nga sulmet dhe ka paralajmëruar se do të flasë më hapur dhe më ashpër se kurrë më parë.

Peci ka paralajmëruar se çdo ditë do të shpërfaqë veprimet e opozitës, duke i akuzuar për korrupsion dhe për përpjekjet për të mbajtur në këmbë një “installacion kleptomaniak” që ai e ka konsideruar të dëmshëm për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe për përmirësimin e jetës së fermerëve kosovarë.

E plotë:

Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba!

Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve!

E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime!

Veç pritni kriminela!

Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoi si kurrë më parë!

Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim!

Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra.