Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj pas ndeshjes Rumani-Kosovë është shprehur se lojtarët e Kosovës treguan zemër e shpirt në këtë ndeshje.
Ai u shpreh se përfaqësimi nuk është vetëm futboll, por sipas tij, është një simbol i dinjitetit dhe vendosmërisë sonë si popull, përcjell Klankosova.tv.
“Sonte, lojtarët e Kosovës treguan zemër e shpirt në ndeshjen kundër Rumanisë. Edhe pse përballë kishin një ekip që jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, shpesh është treguar i ashpër ndaj nesh, djemtë tanë i qëndruan krenarisht përballë. Përfaqësimi nuk është vetëm futboll – është një simbol i dinjitetit dhe vendosmërisë sonë si popull”.
“Rumania, një shtet që shpesh ka ndjekur linja të padrejta ndaj Kosovës, tregoi edhe një herë që nuk është gati ta pranojë realitetin dhe historinë. Por ne, populli i Kosovës, e kemi një përgjigje të thjeshtë: ju bashkohuni me Serbinë, Rusinë e Kinën, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu ku kemi qenë gjithmonë. Këtu është shtëpia jonë, dhe asgjë nuk mund të ndryshojë të vërtetën historike të trojeve tona”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka thënë se secili komb që përpiqet të na mohojë të drejtën për ekzistencë, nuk bën tjetër veçse siç u shpreh, forcon më shumë shpirtin tonë luftarak dhe krenarinë tonë kombëtare.
“Kemi qenë para të gjithëve në këtë vend, dhe do të jemi edhe për shumë shekuj që vijnë. Secili komb që përpiqet të na mohojë të drejtën për ekzistencë, nuk bën tjetër veçse forcon më shumë shpirtin tonë luftarak dhe krenarinë tonë kombëtare. Kosova është këtu për të qëndruar – dhe djemtë tanë në fushën e gjelbër e dëshmojnë këtë me çdo betejë që zhvillojnë. Përpara Kosova, gjithmonë krenarë për ju”, është shprehur tutje Mehaj.