Kuvendi i Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me kontratën e re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të hapësirave të këtij institucioni.
Përmes një njoftimi, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se kontrata e fundit për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike është lidhur para nxjerrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 350 euro.
Kontrata e mirëmbajtjes-pastrimit, thuhet në njoftim, ka përfunduar më 14.11.2024, ndërkaq Kuvendi, pasi ka zhvilluar procedurën e prokurimit dhe bazuar në oferta, sot, më 15.11.2024, ka lidhur kontratë të re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të hapësirave të institucionit.
Njoftimi i plotë:
Sqarim lidhur me kontratën për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike
Në funksion të sqarimit të opinionit publik, rikujtojmë se punëtorët e mirëmbajtjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk janë punëtorë të Kuvendit, por janë punëtorë të angazhuar nga ana e operatorit ekonomik, me të cilin Kuvendi ka kontratë për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike.
Kontrata e fundit për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike është lidhur para nxjerrjes së Vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 350 euro.
Kontrata e mirëmbajtjes/pastrimit ka përfunduar më 14.11.2024, ndërkaq Kuvendi, pasi ka zhvilluar procedurën e prokurimit dhe bazuar në oferta, sot, më 15.11.2024 ka lidhur kontratë të re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike, me operatorin Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë.
Në respektim të Vendimit të Qeverisë për Pagën Minimale, në kontratën e lidhur sot pagesa mujore për punëtorët e mirëmbajtjes/pastrimit do të jetë së paku 400 euro.
Kuvendi është pranues i shërbimeve nga operatori ekonomik dhe sipas ligjit i njëjti kërkon shërbime, por nuk ka të drejtë të ndërhyjë në përzgjedhjen e stafit të operatorit ekonomik.
Si informatë shtesë, pagat minimale bruto për stafin e kontraktuar për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike, nga viti 2018, kanë qenë si në vijim:
Kontrata 21.12.2018 – 20.12.2021 – paga minimale bruto: 250 euro
Kontrata 21.12.2021 – 20.03.2022 – paga minimale bruto: 250 euro
Kontrata 01.04.2022 – 30.04.2022 – paga minimale bruto: 250 euro
Kontrata 01.05.2022 – 31.10.2022 – paga minimale bruto: 280 euro
Kontrata 01.11.2022 – 30.04.2023 – paga minimale bruto: 280 euro
Kontrata 01.05.2023 – 30.04.2024 – paga minimale bruto: 300 euro
Kontrata 15.05.2024 – 14.11.2024 – paga minimale bruto: 300 euro.