Lajme

Ramosaj: Doracaku për edukimin seksual, i papranueshëm, dhe s’mund të lejohet të përdoret në shkolla

11/15/2024 15:19
nga:Y I

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar për çështjen e doracakëve të MASHT-it për edukimin seksual.

Ai ka shkruar se vendosja e tyre në shkolla pa konsultim me prindërit dhe pa respekt për vlerat e shoqërisë është një tjetër dështim i Qeverisë Kurti.

Ramosaj ka shtuar tutje se doracaku i hartuar nga Ministria e Arsimit për edukimin seksual, është i papranueshëm dhe nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla, raporton “Gazeta Blic”.

Reagimi i plotë:

Reagim!

Edukimi i fëmijëve tanë është një detyrë delikate, që kërkon respekt për vlerat kulturore, morale dhe familjare të shoqërisë sonë.
Vendosja e një doracaku për edukim seksual në shkolla, pa konsultim të gjerë me prindërit dhe pa respekt për vlerat e shoqërisë sonë, është një tjetër dështim i Qeverisë. Ky akt tregon një shkëputje të plotë nga realitetet dhe nevojat e vërteta të nxënësve, si dhe nga shqetësimet e familjeve.

Edukimi seksual nuk duhet të jetë një burim konfuzioni për fëmijët, por një ndihmë për zhvillimin e tyre të shëndetshëm fizik, emocional dhe moral, në bashkëpunim të ngushtë me familjet.

Doracaku i hartuar nga Ministria e Arsimit për edukimin seksual, është i papranueshëm dhe nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla.
Fëmijët tanë meritojnë një sistem arsimor që respekton vlerat dhe nevojat e tyre, jo një sistem që imponon ideologji të diskutueshme.
BR