Sot në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë është bërë shpërndarja e certifikatave për programin “Menaxhimi i Zemërimit”, program i cili po cilësohet i rëndësishëm për rehabilitimin dhe trajtimin e personave të dënuar në këtë qendër paraburgimi në Prishtinë.
Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave, pjesëmarrës ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, Sali Ademi dhe Drejtori i Departamentit për Trajtimin e të Burgosurve, Arsim Sherifi.
Të tre drejtuesit vlerësuan “lart rëndësinë e këtyre programeve rehabilituese për ndërgjegjësimin e të burgosurve, korrigjimin e të menduarit dhe përmirësimin e sjelljeve”.
Sipas Shërbimit Korrektues, pjesëmarrësit u inkurajuan që të marrin pjesë edhe në aktivitete dhe programe të tjera të ngjashme.
Gjatë këtij viti, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë janë mbajtur 7 grupe për programet “Menaxhimi i Zemërimit” dhe “Shkathtësitë Sociale”, duke kontribuar në mënyrë të dukshme në uljen e incidenteve dhe konfliktit ndërmjet të burgosurve.