Komuna e Vushtrrisë është komuna e pestë që ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të doracakut “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” në të gjitha shkollat e komunës.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj, ka bërë të ditur lajmin.
Në njoftimin e tij zyrtar, Tahiraj theksoi se ky hap është ndërmarrë për të mbrojtur edukimin dhe mirëqenien e nxënësve.
“Nuk lejojmë asesi që doracakë dhe materiale me përmbajtje denigruese dhe abuzuese të jenë pjesë e edukimit të fëmijëve tanë!” – u shpreh ai.
Vendimi pason shqetësimet mbi përmbajtjen e materialeve arsimore që po përdoren në shkolla, me qëllim që të sigurohet një proces edukativ i sigurt dhe i përshtatshëm për fëmijët. Drejtori i Arsimit siguroi se do të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe partnerë të tjerë për zhvillimin e materialeve edukative të reja, të përshtatshme dhe në interes të nxënësve.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik, duke nxitur debate mbi përmbajtjen e doracakut të ndaluar dhe ndikimin e tij në edukimin e fëmijëve.