Sporti

Hamdi Salihi: Shpresojë ta mbyllim grupin me 12 pikë

11/14/2024 23:19
nga:Lorik J

Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të shtunë përballë Çekisë në “Air Albania”. Pikërisht në prag të kësaj sfide në një intervistë të dhënë për “News24”, ka folur ish-sulmuesi kuqezi, Hamdi Salihi. Ky i fundit analizon ndeshjen me Çekinë, ndërkohë që flet edhe për trajnerin Sylvinho dhe mungesat e rëndësishme që Shqipëria do të ketë në sfidat e nëntorit.

Tani që e zgjodhët presidentin e ri në SHBA, dua të zgjidhim pak problemet tona. Kaq e fortë është Çekia? Se duket si një sfidë e pamundur në këto kushte, është e tillë? A mund të marim 3 pikë?

Ne luajmë në një kompeticion ku niveli i skuadrave është i barabartë. Nuk jemi rastësisht këtu ku jemi. Të gjithë mund të fitojnë ose mund të humbasin me njëra-tjetrën. E njëjta gjë është me Çekinë, i kemi të freskëta kujtimet me këtë skuadër, që u kualifikuam në Europian, me një fitore të merituar vetëm pak më përpara.

Çfarë duhet të bëjmë ndryshe Salihi? Si mund të ndalet Hori? Si mund t’i bëjmë ballë forcës së tyre fizike, detaje që bën diferencën në sfidën e parë…

Janë një skuadër e mirë. Si çdo ekip tjetër, luajmë me Gjeorgjinë, ka tjerë individë, luajmë me Ukrainën, ka tjerë individë. I kemi kapacitetet për t’u përballur ndaj tyre. Duhet vëmendje dhe fokusim, u bë kohë që me këtë skuadër luajmë në nivele të larta. Lojtarët e kanë kuptuar se detajet mund të të kushtojnë kualifikimin dhe jo më ndeshjen.

Salihi, ju e njihni shumë mirë Sylvinho-n. Pse e ka të vështirë të ndryshojë, psh, marrim rastin e Uzunit, pse e përdor pak? Ose Muçin. Çfarë nuk shkon me ta, është një pyetje që e bën i gjithë opinioni në Shqipëri…

Kemi ardhur në një fazë që Sylvinho i njeh të gjithë futbollistët me detaje. Ai ka një strategji të veten. Tekniku e ka në kokën e vet mënyrën se si do interpretojë lojën. Uzuni dhe Muçi janë lojtarë me kualitet, por ndoshta për momentin, trajneri dëshiron të luajë me të tjerë lojtarë. Kjo nuk do të thotë që Muçi apo Uzuni nuk mund të jenë vendimtar në momentet kur aktivizohen.

Ndaj Çekisë kemi në dispozicion vetëm një qendërsulmues tipik, Indrit Tucin. Si mendon, me kë do ta nis Sylvinho nga minuta e parë? Kush mendon se do të jetë treshja e sulmit?

Trajneri nuk ka dëshirë të ndryshojë shumë. U mësuam me këtë gjë. Nëse mungon dikush, Sylvinho gjen karakteristikat e përbashkëta me dikë tjetër dhe e aktivizon në vend të tij. Mundet që Tuci me qenë disi më i avantazhuar duke patur një strukturë të mirë, aq më tepër që në ndeshjen që luajti, u paraqit mirë. Nuk është habi nëse do luante nga fillimi.

Jam shumë kurioze, si ish sulmues, por dhe si pjesë e stafit prej shumë vitesh. Nëse do ishe trajner i parë për një ditë dhe do i kishe të gjithë lojtarët në dispozicion, cili do ishte sulmi juaj ideal?

Do doja të luaja me të gjithë sulmuesit që janë në dispozicion (Qesh). Vendimet ndryshojnë, rivali gjithashtu, kur futesh në botën e trajnerit, kalojnë 1 milionë gjëra në kokën tënde. Gjithmonë, trajneri e ka të vështirë, mundohet që të marrë vendime që t’i përshtatet rivalit. Ndonjëherë, ajo që ka në kokë trajneri funksionon, ndonjëherë jo.

Mirë rikthehemi pak te ndeshja. A do të ndikojnë mungesat në këtë takim, se flasim për lojtarë si Gjimshiti, Kumbulla, Manaj, Daku, nuk po flas për Brojën, se sikur jemi mësuar pa të. Ku mendon se do ndihen më shumë?

Ne kemi një ekip që ato lojtarë, liderët e ekipit e kanë marrë atë titull vetë, me meritë. Gjimshiti është njëri prej tyre. Jam i bindur se kushdo që të luajë në vend të tij, do të bëjë mirë. Mirë do ishte që të ishte në fushë, pasi edhe me 0.5 % që të duhet, ata janë aty. Nga ana e kualitetit, këto situata të vështira, nxjerrin në pah vlerat e dikujt tjetër.

A do ketë kosto takimi ndaj Çekisë në sfidën e fundit ndaj Ukrainës? A bëhen llogari në raste të tilla, sepse kemi vuajtur shumë në takimet e dyta…

Është edhe kjo. Ti luan në një kompeticion ku të duhen pikët, por grupi është i ndërlikuar dhe nuk ia vlen që të merresh me kalkulime. Ndeshja e radhës duhet të jetë fokusi, gjërat e tjera vijnë hap pas hapi.

E fundit, me sa pikë e mbyllim grupin, aktualisht jemi në kuotën e 6 pikëve…

Unë them, shpresoj 12 pikë, por edhe me 10 pikë jam i kënaqur. Mendoj se do na shërbejnë.