Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj doracakut për edukimin seksual të nxënësve, i hartuar nga Qeveria e Albin Kurtit, duke e cilësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj familjes dhe vlerave kombëtare, raporton GazetaBlic.
Haradinaj ka akuzuar Kurtin për një dështim të plotë në fushat politike, diplomatike dhe ndërkombëtare, duke theksuar se pas izolimit të Kosovës dhe vënies së vendit nën sanksione, Qeveria e Kurtit tani po e drejton sulmin ndaj themeleve të shoqërisë – familjes.
“Nuk ka e as që mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes e vlerave kombëtare se sa Doracaku i edukatës seksuale i hartuar nga Qeveria e Albin Kurtit,” shkroi Haradinaj, duke shtuar se ky doracak është një përpjekje për të minuar traditat dhe identitetin kombëtar të Kosovës.
Haradinaj ka theksuar se ky projekt nuk do të kalojë, jo vetëm në komunat që udhëhiqen nga Aleanca, të cilave u ka kërkuar ta heqin këtë “paçavure” si doracak, por as në nivelin e Kosovës në përgjithësi.
“Familja jonë ka themele të lashta që nuk lëkunden kollaj, aq më pak nga ata që përditë e më shumë po identifikohen si antikombëtarë,” tha Haradinaj.