Xhevahire Izmaku do të jetë kandidate për deputete nga NISMA, raporton GazetaBlic.
Këtë e ka konfirmuar kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj i cili e ka përshëndetur kandidaturën e Izmakut, duke theksuar se ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si deputete e Kuvendit të Kosovës dhe si nënkryetare e Komunës së Vushtrrisë.
“Xhevahire Izmaku ka shërbyer me përkushtim dhe angazhim të madh në zhvillimin lokal dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e Vushtrrisë,” ka thënë Limaj.
Ai theksoi se përveç angazhimeve të saj politike, Izmaku është një profesoreshë e nderuar, e cila ka lënë një ndikim të thellë në edukimin e brezave të rinj.
Limaj ka shtuar se kandidatura e Xhevahire Izmakut për deputete është një mundësi e shkëlqyer për të vazhduar punën e saj të vyer në shërbim të qytetarëve, duke sjellë përvojën, dedikimin dhe vizionin e saj për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës.
“Xhevahire Izmaku është një kandidate e shkëlqyer që do të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe do të kontribuojë për një të ardhme më të mirë për Kosovën,” përfundoi Limaj.